Për rreth 7 vite, Shkodra nuk ka qenë zyrtarisht pjesë e Shqipërisë. Këtë fakt e ka sjellë në vemendje studiuesi dhe hulumtuesi i arkivave Kastriot Dervishi. Në një publikim në faqen e tij në Facebook, Dervishi publikon edhe një foto nga momenti kur u deklarua ri- bashkimi i Shkodrës me Shqipërinë.
Ishte viti 1920 kur në Shkodër erdhi një delegacion i qeverisë shqiptare të kohës, i kryesuar nga Ahmet Zogu, asokohe ministër i brendshëm e pas pak viteve, president e më pas mbret i Shqipërisë.
PUBLIKIMI I KASTRIOT DERVISHIT NË FACEBOOK
Bashkimi i Shkodrës me Shqipërinë
Më 11.3.1920, qeveria shqiptare e përfaqësuar nga ministri i Punëve të Brendshme Ahmet Zogu dhe ministri i Drejtësisë Hoxha Kadri deklaroi bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit.
Ahmet Zogu u caktua prefekt i përkohshëm me dy ndihmës: Sulçe Bushatin dhe Shuk Serreqin. Për këtë ditë, më 19.3.1920, u organizua një miting festiv me pjesëmarrjen përfaqësuesve të qeverisë, parisë dhe klerit të qytetit.
Në foto duke folur është At Viçens Prenushi. Prej vitit 1913 (përjashto periudhën e luftës), qyteti administrohej nga fuqitë e mëdha.