Efektivë të policisë së Durrësit janë duke mbajtur nën mbikqyrje dy familjet Gjokazaj dhe Lala në zonën e Spitallës. Një ditë më parë, dy adoleshentët Anxhelo Gjokazaj dhe Devi Lala u përfshinë në një sherr verbal që u mbyll me plagosjen e rëndë me thikë të 16-vjeçarit Gjokazaj, i cili humbi jetën pak orë më vonë në spitalin e Durrësit.
Policia i trembet faktit se konflikti mes familjeve mund të përshkallëzohet. Familja e viktimës është nga Oroshi i Mirditës dhe është vendosur prej disa vitesh në Durrës, ndërsa familja Lala është me origjinë nga Sukthi. Të dyja familjet banojnë në zonën e Spitallës, ku dhe u regjistrua konflikti tragjik që i mori jetën 16-vjeçarit Gjokazaj.