Trukimet janë shndërruar në një prej “sëmundjeve” më të dëmshme në futbollin shqiptar. Mungesa e theksuar e besueshmërisë, precedentët e rrezikshëm, “shfaqjet teatrale” thuajse të përjavshme dhe akuzat e drejtpërdrejta kanë krijuar kampionate shumë të dyshimta gjatë viteve të fundit. Kategoria e Parë ka qenë një prej kampionateve më të preferuara për të bërë trukime dhe tolerime.
Mjafton të kujtojmë shumë prej ndeshjeve të një sezoni më parë dhe ato që ndodhnin në fushë, për të hedhur dyshime të bazuara në akuza dhe fakte konkrete, se gjithçka ishte e paravendosur. Por, nëse një sezon më parë tolerimet bëheshin për efekt aleancash apo kundërshtarët hapnin portën pasi përfitonin para nga rivalët, këtë sezon çështja është bërë më serioze dhe shqetësuese. Bëhet fjalë për baste.
Shumë prej rezultateve të javëve të fundit në Kategorinë e Parë kanë ngjallur dyshime. Përmbysje rezultatesh të çmendura dhe ekipe që pësojnë shumë gola me lehtësinë më të madhe. Dhe ajo që ka shqetësuar më shumë Federatën Shqiptare të Futbollit në këtë histori ka të bëjë me faktin se shumë prej takimeve ku ka dyshime, janë luajtur të premteve ose të hënave.
Në këto ditë, zhvillohen pak ndeshje në Europë dhe botë dhe kompanitë e basteve jashtë Shqipërisë janë të predispozuara që të kuotojnë sa më shumë takime. Në këtë mënyrë, përfshihen edhe ndeshjet e Kategorisë së Parë, sidomos ato që luhen të premteve dhe të shtunave.
Duke parë këtë situatë dhe shqetësimit se ndeshjet trukohen për përfitime nga bastet, FSHF i ka kërkuar TVSH-së që ka ekskluzivitetin e transmetimit të Kategorisë së Parë, që të shmanget zhvillimi i ndeshjeve të premteve dhe të hënave. Kjo masë pritet të merret për të ulur sadopak fenomenin shqetësues në këtë kategori, ku dihet që pjesa më e madhe e klubeve janë të varfra.