Shqipëria është përfshirë nga epidemia e gripit. Mjekët thonë se veç gripit stinor në vend po qarkullon dhe gripi i derrit, i cili ka vënë në alarm disa vende të Ballkanit ku ka shënuar dhe humbje jetësh.
Mjeku infeksionist Gent Stroni: “Nga shtamet që ne kemi izoluar në këto momente janë shtamet AH1N1 prezente, janë disa shtame të tjerë AH3N2, po njëçikë me sasi me të pakët krahasimisht me AH1N1. Po themi që jemi në një situatë le ta quajmë epidemi brenda vendit”.
Mesatarisht 120 persona në ditë paraqiten vetëm në Shërbimin Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Specialistët apelojnë për konsultë me mjekun e familjes nëse keni këto shqetësime.
Mjeku: “Me problematikën e pjesës së laringut, me një dhimbje fyti me një temperaturë të lartë ku kemi djegje sysh, hundë të zëna dhe problematika që kalon në komplikacione që do të thotë kemi dhe prekje të sistemit respirator të poshtëm. Pra që kalon më së shumti me pneumoni“.
Kujdes të shtuar duhet të tregojnë personat që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Mjeku: “Një person që vuan nga diabeti apo nga sëmundje kronike sigurisht që ky person mund të shkojë dret një fundi fatal, kur komplikohet me këtë lloj virusi në rast se nuk trajtohet në momentin e duhur”.
Me nisjen e këtij viti në vendin tonë është rikthyer dhe sëmundja e fruthit. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon 41 raste kryesisht nën moshën dy vjeçare dhe i përkasin qytetit të Tiranës. Fruthi ka shënuar dhe një viktimë, një foshnjë katër muajshe. /Burimi:ABCnews/