Dinjiteti është një vlerë që jo çdokush e ka apo e shfaq. Pavarësisht kushteve që të ka rezervuar jeta, shfaqja e kësaj vlere vetëm të lartëson si njeri. Mund të jesh i shëndetshëm fizikisht e mendërisht, por nuk e ke dinjitetin e guximin për jetën. Ashtu siç mund të jesh me aftësi ndryshe, edhe në karrige me rrota dhe të jesh shembull.
Një publikim në Facebook i bisnesmenit të njohur shkodran Gjergj Leqejza, tërhoqi vëmendjen tonë. Janë vetëm dy foto dhe pak rreshta por që përmbledhin në vetvete ndjenja të jashtëzakonshme frymëzimi por edhe krenarie. Në shënimin e tij, Leqejza shkruan:
“Dëshiroj të ndaj me ju disa momente që besoj se çdo njeri e bajnë me mendue shumë… Sot i dorëzuem nji karrocë shumë moderne një personi me aftësi ndryshe, falë gatishmërisë së përhershme të Kastriot Facit e ngulmimit të Vera Mollës në Laç, Gëzimit (i pagëzuem Gjergj).
Asht i dukshëm gëzimi falenderues i tij që bani shumë vetë të pranishëm që të përloten. Por çka asht ma e mrekullushme, asht ajo çka Vera na tregon: Ky person në këtë gjendje kur i asistojnë në shtëpi apo i sjellin ndihma, nuk i pranon, biles i thotë që ka njerëz ma në nevojë se unë dhe mund ti jap edhe nji pjesë të pensionit…
Zoti i ka “ngarkue” nji barrë të randë por e ka kompensue me nji zemër aq të gjanë sa shumë nesh e dëshirojnë…”, përfundon shënimin e tij Gjergj Leqejza. Natyrisht, nuk ka nevojë për komente të tjera. Thjesht, frymëzim! /ShkodraWeb Media/