Altin Rrica është padyshim një nga emrat më të dëgjuar në futbollin shqiptar. Ish-lojtari kavajas që asokohe shihej si futbollist i prespektivës është surprizuar nga klubi “Shkodra” dhe trajneri Rudi Piraniqi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, gazetari sportiv Defrim Methasani tregon:
“Pas “EURO 2020”, ishte e vështirë të gjindej diçka e veçantë dhe e bukur, që ta kalonte emocionin e europianit. Gjithsesi bashkuam idetë dhe dëshirat me një mik të mirë, njeri human dhe trajner profesionist, si Taip Piraniqi dhe realizuam një qëllim të përbashkët njerëzorë. Vajtëm në shtëpinë e një ish futbollisti që edhe pse tani është mbi karrocë, jep mesazhe pozitive dhe vlen si një shembull për brezat.
E takuam Altinin nga afër dhe e nderuam mjeshtrin e futbollit kavajas, së bashku me disa nga djemte e klubit të futbollit “Shkodra” dhe trajnerin e tyre Rudi Piraniqi. Së bashku me futbollistët ishte dhe prindi i një djali të talentuar, Bardhok Prendi, por dhe me mua erdhi një mik i çmuar zoti Rexhep Zebi, ardhur nga Kanadaja, por që me dëshirë u bë pjesë e kësaj ceremonie.
Aty gjetëm edhe babain shok që i mbetet në krah Altinit, zotin Hasan dhe vëllain Bledarin që bëjnë gjithçka për të. Shkëmbyem mirënjohje, dedikime, dhurata, dhe kujtime. Gjithçka kishte vetëm një motiv:”Mirënjohje dhe respekt i madhi dhe i miri Altin Rrica! Fati në jetë vërtet nuk të deshi, por të gjithë ne të duam shumë dhe nuk të harrojmë kurrë….Ti vlen!”
Kujtojmë që Rrica mbeti në karrocë për shkak të një aksidenti të rëndë me makinë. Fatmirësisht ai shpëtoi, por dëmtimi në shtyllën kurrizore e la atë paralizuar. Megjithatë komuniteti i futbollit e surprizon shpesh dhe tipi i tij mjaft pozitiv, bën që të gjithë ta duan. Edhe pse i detyruar të lëvizë në karrocë, mesazhet e tij i japin gjithmonë kuptim jetës.