Vetëm shtatë vjeç, shqiptari Kolton Ndoj ka pushtuar mediat italiane mëngjesin e kësaj të marte, falë një gjesti që ka prekur të gjithë. Kolton Ndoj, i ka dhuruar të gjitha kursimet e tij, në derrkucin e vogël, Kryqit të Kuq në Itali. Dëshira e tij e vetme për festat e fundivitit ka qenë që të gjithë fëmijët të mund të festonin.
Kolton Ndoj në prill mbush shtatë vjeç dhe ndjek shkollën fillore në Bregnano dhe tashmë i ka mjaft të qarta idetë. Ai do të ndihmojë fëmijët në nevojë. Mediat italiane shkruajnë se ndoshta ai nuk e ka ende të qartë situatën ekonomike në vend, por ai di një gjë, dhe ajo është se shumë fëmijë si ai jetojnë në situata të vështira, madje të kesh një dhuratë nën pemë, për shumë fëmijë nuk është e mundur.
Nëna e shtatë vjeçarit, Jolanda, thotë se vogëlushi, prej kohësh ka shprehur dëshirën e tij për të ndihmuar fëmijët në nevojë. Vullnetarët e Kryqit të Kuq, u befasuan shumë, por edhe u prekën, kur në vigjilje të Krishtlindjes panë djalin e vogël, i cili u ofroi kursimet e tij brenda një derrkuci.
Për ta falënderuar, vendosën ta ftojnë në asamblenë e tyre, e cila u mbajt pak ditë më parë, me presidentin Danilo Fasola dhe deputetin Massimo Gilardi , të cilët i dhanë çmimin vullnetar nderi.