Orët e fundit, po bën xhiron e rrjeteve sociale video e një të riu elektricist, i cili sfidon kushtet e vështira të motit për të rikthyer energjinë elektrike në zonën turistike të Thethit.
Janë të shumta komentet por edhe shpërndarjet e videove të të riut Aleks Nika, duke dhënë vlerësime maksimale për përkushtimin e tij në punë. Edhe Benet Beci, deputet i Shkodrës, e ka evidentuar në rrjetet sociale këtë shembull, duke e cilësuar madje frymëzim.
“Kushtet atmosferike nuk po favorizojnë një fundjavë normale në Shkodër por emergjencat civile dhe të gjithë strukturat përkatëse janë në gatishmëri. Të gjithë po bëjnë punën e tyre, edhe punonjësi i OSHEE- së Aleksi që sfidon kushtet atmosferike për të rilidhur energjinë elektrike në Theth, edhe gazetarët që e po e pasqyrojnë.
Veç sa frymëzuese është të shohësh shembuj të tillë, të rinj që ndëmarrin përsipër vështirësitë dhe e vënë veten në dispozicion të së mirës, teksa shumë të tjerë bëjnë “gjyqe” nga cepat e ngrohtë të rehatisë. Faleminderit të gjithëve.”, shkruan Beci në publikimin e tij, shoqëruar edhe me një video të të riut gjatë punës.