Diten e sotme futbolli shkodran dhe ai shqiptar kane marre nje lajm te trishtueshem. “Mjeshtri i madh” Ramazan Rragami eshte ndare nga jeta. Ai ishte ne SHBA ku prej shumë kohësh ishte i semure por shpresohej te fitonte “ndeshjen e jetes”. Para disa javëve, ai u rikthye në Shkodrën e tij ku mbylli edhe sytë.
Ramazan Rragami ishte nje nga emrat me te medhenj absolutisht i futbollit shkodran e shqiptare. Ai ka spikatur jo vetem ne fushen e blerte por edhe si trajner. Do te mbahet mend gjate jo vetem per talentin dhe aftesite e tij por edhe si futbollisti qe detyroi FIFA- n te ndryshoje rregulloren per goditjen e penalltive.
Ditën e diel, 16 janar 2022, në Stadiumin “Loro Boriçi”, nga ora 10.00 – 13.00, do të zhvillohen homazhe në nderim të Ramazan Rragamit. ShkodraWeb shpreh ngushellimet per familjen, te afermit, miqte e te njohurit e Ramazan Rragamit.
Kush ishte Ramazan Rragami
Ramazan Rragami ka lindur në Shkodër më 3 prill 1944 dhe që prej moshës 12-13 vjeçare dhe para 2-3 vitesh ka qenë gjithnjë protagonist tek futbolli, pra për një periudhë 60 vjeçare, pa asnjë shkëputje për asnjë moment.
Shfaqet në formacionin e Vllaznisë në kampionatin e vitit 1961, saktësisht më 24 shkurt të këtij viti në ndeshjen Flamurtari- Vllaznia 2-1, kur ai ende nuk i kishte mbushur 17 vjeç, duke shënuar kësisoj debutimin me të dhe luan me Vllazninë deri në janar të vitit 1965 sepse më pas kalon tek Partizani me të cilin luan deri në vitin 1968. Më pas kthehet sërish në Shkodër teksa luan me Vllazninë deri në fund të sezonit 1974-75.
Mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Vllaznisë e të futbollit shqiptar, është trajneri i “Shpresës” së Shqipërisë që e kualifikoi atë në 8 më të mirat e Europës në vitin 1983.
Si futbollist, për fat të keq ka vetëm 19 ndeshje të luajtura me kombëtaren ngaqë në ato vite ajo nuk ka zhvilluar shumë ndeshje brenda një viti megjithatë ka qenë gjithmonë në nivele të larta dhe madje edhe kapiten i saj. Ndërkohë që duke luajtur me Vllazninë, Partizanin dhe Dinamon ka në total rreth 90 ndeshje ndërkombëtare.
Rragami ka qenë shumë i suksesshëm edhe si trajner me Vllazninë të cilën e drejtoi për disa vite duke fituar edhe trofe, ndërkohë që kulmin e tij e ka me ekipet kombëtare dhe kryesisht me atë “Shpresa” në vitin 1983 ku arriti ta rradhisë atë në mes më të mirave të Europës.
TROFETË E FITUARA
– Në vitin 1966 do të fitonte Kupën e Republikës me ekipin e Partizanit
– Në vitin 1971 do të fitonte Kupën e Ballkanit po me ekipin e Partizanit
– Në sezonin 1971-72 do të fitonte titullin kampion dhe Kupën e Republikës me ekipin e Vllaznisë.
– Në sezonin 1973-74 shpallet kampion i Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë
KARRIERA SI TRAJNER
– Në vitet 1973- 79 ka punuar si trajner tek Vllaznia duke bashkëpunuar me trajnerin Xhevdet Shaqiri.
– Në vitet 1978- 91 trajner pranë ekipeve kombëtare, atë “Shpresa” dhe U18 duke bashkëpunuar me trajnerët Shyqyri Rreli, Petraq Ikonomi, Aurel Vërria etj.
– Në vitin 1984 kryen kursin për trajner në Coverciano (Itali).
– Në vitet 1973-2004 ka punuar si trajner profesionist, inspektor e sekretar klubi tek Vllaznia. Njëkohësisht në periudha të ndryshme ka qenë edhe anëtar i Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së.
– Në sezonin 1982-83 fiton titullin kampion me Vllazninë si trajner.
NDERIMET:
-Në vitin 1967 ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti” ndërkohë që në vitin 1974 ka marrë titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.
-Në vitin 1999 është nderuar me titullin “Nderi i sportit shqiptar” dhe po këtë vit ka marrë edhe titullin “Krenaria e Qytetit të Shkodrës”.
-Në vitin 2004 është nderuar nga FSHF me titullin “Nderi i futbollit shqiptar” ndërkohë që në vitin 2019, me rastin e 100 vjetorit të klubit Vllaznia, u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
– Fitues i anketës “11-shi i artë”, organizuar me rastin e 80 vjetorit të KF Vllaznia.
– Fitues i anketës “11-shi më i mirë i shekullit”, organizuar nga FSHF më 1998.