“Futbolli shqiptar është në zi. Pasditen e 5 tetorit, ndërroi jetë në moshë 94 vjeçare Sulejman Maliqati, “Nderi i Kombit”, ose “macja e zezë” siç njihej ndryshe legjenda e viteve 60-të. Të enjten ora 15-të në Durrës, do të përcillet drejt qytetit pa jetë, duke i dhënë lamtumirën e fundit ish portjerit fluturues dhe me një histori brilante, duke luajtur për Besën, Partizanin, Lokomotivën dhe kombëtaren.”, shkruan në Facebook gazetari i mirënjohur sportiv Dëfrim Methasani.
Sulejman Maliqati ishte një nga portierët më të famshëm në historinë e futbollit shqiptar, një legjendë e padiskutueshme e të gjitha kohëve, frymëzim dhe shembull për shumë gjenerata sportistësh, të cilët hynë në botën e sportit dhe arritën suksesin, të frymëzuar nga modeli i mjeshtërisë së tij.
Portieri i mirënjohur i ekipit të Partizanit dhe Kombëtares në vitet 1949-1965, ishte një nga ikonat e gjalla të futbollit shqiptar me një karrierë sportive të nisur me ekipin e Besës së Kavajës.
Maliqati ishte thesari i kujtimeve dhe emocioneve aq të paharruara të futbollit shqiptar, që na kujton portierët më të mëdhenj të historisë botërore të sportit.
Legjenda e portës, Sulejman Maliqati është fitues i 7 titujve kampionë dhe i 4 kupave të Shqipërisë. Presidenti Meta, e vlerësoi në vitin 2020, me rastin e 92-vjetorit të lindjes, portierin legjendë të “Partizanit” dhe Ekipit Kombëtar, Sulejman Maliqati me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar, talentin dhe personalitetin e jashtëzakonshëm, si një nga portierët më të famshëm në historinë e futbollit shqiptar, legjendë e të gjitha kohëve”.