I ftuar mbrëmë në rubrikën sportive të Star Plus Televizion ishte edhe trajneri i Vllaznia u-19, Edmond Doçi. Ish-mesfushori kuqeblu u ndal tek humbja kundër Erzenit, ku theksoi se ishte e papritur, por nuk mund të jetë alarmuese. Gjithashtu trajneri i kuqebluve të vegjël theksoi se disa lojtarë nga të cilët pritet shumë nuk dhanë atë çfarë duhet.
Doçi tha: “Ishte një humbje e papritur kjo kundër Erzenit. Një skuadre që mezi u formua deri pak ditë parq fillimit të kampionatit. Shijakasit me atë entuziasmin e rikthimit në Superligë pas kaq shumë vitesh arritën të merrnin pikët e plota.
Tek Vllaznia mu duk sikur iu rëndonin këmbët nga stëvitja e gjithë këtyre muajve dhe futbollistët nuk mu dukën aspak ritmik në fushë. Mendoj se disa lojtarë duhet të marrin përgjegjësitë që iu takojnë dhe të mos kalojnë në individualizëm që dëmton skuadrën.
Them se me Kukësin do vijë menjëherë një fitore sepse Vllaznia i ka cilësitë në skuadër për të qenë një nga ekipet pretendente këtë sezon.”. /Nga Endri ÇINARI/