Bujar Pregja, specialist gjykimi, analizoi rastet e shumta në ndeshjen Vllaznia-Laçi. Nuk munguan edhe debatet mes Pregjës dhe Alban Hasanit në emisionin “Pressing” në ABC.
“Rasti i parë është një ndërhyrje e rrezikshme e Julian Shehut. Janë raste që duhet të dënohen me karton të kuq. Ka intensitet dhe godet direkt kundërshtarin. Nuk mjafton kartoni i verdhë”, tha fillimisht Pregja, i cili më pas flet edhe për dy faulle të tjera.
“Kemi një rast ku lojtari i Vllaznisë pengon një aksion premtues, duhej dhënë karton i verdhë. Kemi edhe këtë rastin, ku kemi një ndërhyrje nga mbrapa dhe duhet dhënë karton i verdhë (është Shehi).
Kemi edhe një rast që ndërhyn lojtari i Vllaznisë (minuta 40), me këmbë të ngritur dhe lojtari i Vllaznisë duhet të merrte karton të kuq. Nuk është dhënë i kuq, për ndërhyrjen e Krujës ndaj Shehut”, shtoi Pregja.
“Kartoni i kuq për Obanor është i saktë, nuk ka nevojë për koment. Kemi edhe një penallti (86’), ku numri 2 i Vllaznisë ndërhyn te këmba e lojtarit të Laçit”, tha specialisti i gjykimit, Bujar Pregja.
Aty ndërhyri edhe Alban Hasani, i cili tha: “këtë ndeshje e ka humbur arbitri, shikojeni. Ai ia ka humbur ndeshjen Vllaznisë. Nuk i dha të kuq Shehit. Të gjitha gabimet janë në dëm të numrit 6, Shehit. Ai duhet të kishte dalë jashtë që në minutën e 20-të. Ai e prishi ndeshjen”.
Pregja replikoi dhe mes të tjerash deklaroi: “Gabimet janë të dyanshme. Kishte karton të kuq edhe për Vllazninë, edhe penallti për Laçin. Nuk mund ta them që është shumë i dobët, por ka pasur arbitrim të gabuar”. /abcnews/