Ligji elektoral në vend ka parashikuar si afat të fundit datën 30 maj për regjistrimin e kandidatëve të pavarur për zgjedhjet vendore.
Konkretisht, neni 70 parashikon se afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve të pavarur për zgjedhjet është 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Por, këtë afat e përfitojnë vetëm kandidatët e pavarur që gëzojnë një mandat si të zgjedhur, pra, si kryebashkiak, anëtar i këshillave vendore apo deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Për personat e tjerë që synojnë që të garojnë si të pavarur, por që nuk kanë ushtruar ende këtë gjë, ligji ua ka mbyllur derën, pasi neni 70 thekson se: “Jo më vonë se 70 ditë para datës së zgjedhjeve, komiteti nismëtar regjistrohet në KZAZ, duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit.
Komiteti mund të regjistrojë një kandidat për kryetar të bashkisë vetëm nëse ka marrë mbështetje për kandidatin nga një numër zgjedhësish që i korrespondon 1 për qind të listës së zgjedhësve të zonës zgjedhore, por, në çdo rast, jo më pak se 50 zgjedhës, sipas procedurave të përcaktuara në këtë Kod.
Kandidatët e propozuar nga zgjedhësit përjashtohen nga detyrimi nëse janë kryetarë bashkie, anëtarë të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore përkatëse ose deputetë. Në këtë rast, kandidati paraqet një vërtetim me shkrim, të nënshkruar nga institucioni”.