Vllaznia nuk njeh krizë rezultatesh dhe po mban vazhdimësinë në elitën e futbollit shqiptar. Nën drejtimin e Brdariç, shkodranët flasin vetëm në gjuhën e triumfit. Por ekipet e tjera nuk dorëzohen në garën e titullit kampion duke kujtuar në çdo rast se jemi ende shumë larg javëve të fundit të kampionatit.
Por si e sheh Mirel Josa? Në një intervistë për “Report TV”, trajneri i njohur është shprehur se e njëjta gjë ka ndodhur vite më parë me Skënderbeun, por ndjekësit harrojnë se do të bëjnë edhe vetë hapa të gabuara gjatë rrugës. Gjithashtu një mendim jepet edhe për derbin e kryeqytetit, me Josën që ka bindjen se asgjë nuk do të vendoset nga afrimet e reja.
“Nuk do të mungojë dëshira nga skuadrat për ta fituar ndeshjen, por do të vendosin episodet. Nuk do të bëjnë diferencën afrimet e ardhura te Tirana apo Partizani.
Kampionati? Vllaznia ka pasur shumë stabilitet dhe ato ekipe që e kanë këtë vlerë, fitojnë. I shkoj shembujve kur kam drejtuar Skënderbeun. Ekipi kishte 9 pikë diferencë, të gjithë thonin që nuk ka mbaruar akoma kampionati edhe atëherë.
Por më falni, ju ekipet e tjera që vini pas Vllaznisë, do i fitoni të gjitha ndeshjet? Sa i përket Kukësit, ka më shumë pretendime në raport me lojtarë që ka në organikë”, ka thënë Josa.
Vllaznia e sivjetme ka ringjallur kujtimet e asaj të para 20 viteve kur shpallej për herë të fundit kampione e Shqipërisë. Njëri prej pjestarëve të asaj skuadre ka qenë edhe Saimir Patushi i cili duket optimist edhe për këtë të këtij sezoni.
Gjatë prononcimit të saj në emisionin “Ora Sport” ish- mesfushori i njohur e ka thënë qartë se gara duket se do të jetë vetëm se kush do të jetë zërë vendin e dytë sepse i pari i takon Vllaznisë.
“Ky kampionat duket se nuk do të ketë shumë supriza. Nga çfarë po shikojmë, gara po bëhet se kush do të jetë në vendin e dytë sepse Vllaznia vështirë ta lëshojë vendin e parë. Ajo po bën shumë mirë gjatë gjithë kampionatit dhe po e ruan distancën e saj me ndjekëset.
Ajo po arrin ta ruajë distancën prej 9 pikësh me ekipet e tjera që në fakt vetëm bëjnë llogari, por kalon një javë, kalojnë dy javë, kalojnë tre javë dhe situata është e njëjta dhe Vllaznia vetëm duhet përshëndetur për kampionatin që po bën.
Tirana, Partizani dhe Kukësi e kanë humbur ritmin. Këta ekipet që duan të rivalizojnë Vllazninë, duhet të mendojnë si ta fitojnë ndeshjen dhe jo të pozicionohen në fushë dhe të mendojnë të marrim, ç’të marrim”.