Nga Armand SHKULLAKU
Duhet të jetë një dramë e vërtetë për një lider, që pas shumë vitesh në qeverisje, të mos ketë lënë asnjë gjurmë të qënësishme apo një bilanc për t’u ndjerë sadopak i vlefshëm. Eshtë dramë politike, por edhe njërëzore, që përmblidhet në atë thënien popullore, e cila me fjalë të thjeshta nxjerr zhveshur kotësinë e një ekzistence: “ku ishe, hiç gjëkundi. Çfarë bëre, hiç asgjë”.
Ndryshe nga individët e zakonshëm, që bilancin e ekzistencës së tyre e bëjnë me vitet e jetuara, për politikanët ai lidhet kryesisht me periudhën që u kanë besuar për të drejtuar vendin. Çfarë kanë mundur të realizojnë për të shenjuar për mirë kohën e tyre. Në histori njihen liderë që kanë ndërruar fatet e popujve të tyre, disa drejt prosperitetit e disa drejt katastrofave, ashtu siç ka plot të tjerë që kanë kaluar pa lënë asnjë shenjë, thuajse sikur nuk kanë ekzistuar.
Shqetësimi i një ekzistence politike të padobishme, duket se po kthehet në mundim për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Në gati 5 vjet, Shqipëria nuk ka regjistruar asnjë rekord të qënësishëm të punës së tij si lideri kryesor i vendit. Nuk ka asnjë hop cilësor në ekonomi, investimet publike janë në ditën e tyre më të keqe, ndërsa ato të huaja nuk ekzistojnë. Korrupsioni dhe krimi kanë mbytur çdo hapësirë zhvillimi, braktisja e vendit është kthyer në synimin e çdo shqiptari dhe konflikti politik është bërë buka e përditshme për të ushqyer ata që votojnë, por që nuk zgjedhin
Vetë kryeministri gjendet në ngërç sa herë që në debate televizive i duhet të përballet me bilancin e qeverisë së tij, e cila erdhi në pushtet me premtime e angazhime të mëdha dhe përfundoi tek një “Audi”, si simbol i kapjes dhe dështimit të saj. Edi Rama është i ndërgjegjshëm për dështimin e tij. Ndoshta e përjeton edhe si dramë faktin, që ai, dikur politikani i ri karizmatik dhe vezullues, sot si kryeministër është një hije gri, nën të cilën nuk po lulëzon asgjë. Gropat e palmave të shkulura ndanë autostradës Tiranë- Rinas, janë metafora më e mirë e pafuqisë së kryeministrit për të çelur diçka
Që vetë Rama është i vetëdijshëm për pamundësinë e tij për të lënë gjurmë si kryeministër, kjo duket qartë në përpjekjet për vëmendje të dëshpëruar, përtej politikës. Ekspozitat si piktor në moshë të thyer, poçet artizanale që prodhon në punishten pranë Baba Mondit, intervistat për mediat e huaja me shprehje medemek origjinale të tipit “italianët janë shqiptarë të veshur me Versace”, daljet maratonë në TV, shpikja e ERTV, shëtitjet nëpër studio televizive pa prodhuar asnjë lajm, veshjet ekstravagande në samite botërore që ulërasin për vëmendje, takimet me popullin dhe replikat e gjata në facebook, të gjitha janë dëshpërimisht përpjekjet e një njeriu për të thënë: j’existe.
Por që kërkon të ekzistojë si formë, si atraksion, në pamundësi për ta dëshmuar ekzistencën e tij nëpërmjet sfidës që ka marrë përsipër.
Edhe më dramatike ngjan pamundësia e Edi Ramës për t’i dhënë kuptim ekzistencës politike, kur tenton të bindë shqiptarët se vepra e tij si kryeministër është unikale, historike, se ai po bën atë që nuk është bërë në 27 vjet, se ai po rilind Shqipërinë. Eshtë dramatike sepse i mungon një bilanc dhe veprat konkrete. Edi Rama është i dënuar që epokën e tij në drejtimin e vendit ta mbylli ashtu siç e nisi, vetëm duke u krahasuar me bëmat e paraardhësve, pa regjistruar asnjë ndryshim pozitiv që të mbajë markën e tij.
Ishte emblematik për destinin e tij politik, fjalimi i djeshëm në fondacionin “Qemal Stafa”, ndërsa nisi me hov të propagandonte meritat historike të partisë që drejton në shërbim të interesave të vendit. Por nuk renditi dot asnjë të tillë dhe përsëri iu referua kundërshtarëve politikë, të cilët i shitën naftë Millosheviçit, dolën kundër marrëveshjes së Rambujesë, i falën detin Greqisë, etj, etj. Dhe vërtet duhet të jetë e rëndë për një lider, që të bëjë hije mbi tokë, vetëm duke u matur me kundërshtarin me fjalë, por pa bërë asgjë për ata e kanë zgjedhur t’i qeverisi.
Nëse Shqipëria nuk arrin të hapë negociatat për anëtarësim në BE, përsëri Edi Rama do të drejtojë gishtin nga opozita si shpëtim për dështimin e tij. Por në fund fjalët i merr era dhe një lideri i regjistrohen arritjet dhe jo justifikimet. Edhe Rama ka bërë dikur opozitë konfliktuale, por Shqipëria hyri në NATO dhe siguroi liberalizimin e vizave. Detyra e kryministrit sot është të përmbushë detyrimet dhe jo të qahet paradhënie për opozitën e keqe që i ka rënë për pjesë. Fasada nuk mban gjatë nëse nuk ka themele dhe pa punë edhe çelja e negociatave mund të përfundojë si çelja e palmave. Por Edi Rama nuk mund të punojë dhe historia e tij duket e parashkruar si ajo e një politikani interesant me çorape të kuqe dhe atlete që nuk arriti dot të bëhej kryeministër.