Ka ulur siparin në Prishtinë Edicioni i Dytë i “Art Without Limit International Film Festival”. Përgjatë dy ditëve, janë shfaqur në sallën e Kino Armatë 50 filma ndërkombëtarë, ndërsa ceremonia e shpërndarjes së çmimeve është zhvilluar në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Gara është zhvilluar në disa kategori dhe e veçanta e këtij edicioni të dytë, është çmimi i fituar nga gazetari shkodran Ergys Kavaja. “Një Zë i heshtur shprese”, dokumentari kushtuar personave të Projektit Shpresa në Shkodër, ka marrë çmimin e parë nga juria.
Në një publikim në rrjete sociale, kolegu Kavaja shpreh kënaqësinë për çmimin dhe natyrisht, bën edhe falenderimet e rastit.
“Edicioni i dyte i Festivalit te Filmit #Artwithoutlimit mbajtur ne Prishtine, vjen ne Shkoder 🤗 Krenare per cmimin e pare ne kete festival nderkombetare 🎥
Faleminderit jurise se Festivalit, #Faleminderit Ganimete Sava dhe te gjithe organizatoreve per cmimin e festivalit. “Nje Ze i heshtur shprese”, dokumentari kushtuar personave te Projekti Shpresa sot me ben serish krenar 🤗 #faleminderit Luigj Mila per besimin dhe mbeshtetjen e pakursyer ne cdo projekt💪”, shkruan gazetari Ergys Kavaja.
Edicioni i dytë i “Art Without Limit International Film Festival” u karakterizua nga një shumëllojshmëri të filmave, e zhanreve të tyre, duke filluar nga fiksion, dokumentarë e animacion, e të cilët kanë qenë pjesë e festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare.
“Art Without Limit” është festival unik e gjithëpërfshirës dhe mbahet nga e për personat me aftësi të kufizuara. Përmes filmit shpalosen ngjarje e histori inspiruese. Ky festival e këta filma vijnë si synim për të ngritur vetëdijen shoqërore për sfidat të cilat i përjetojnë në përditshmëri personat me aftësi të kufizuara, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në atë shpirtëror. ShkodraWeb uron kolegun Kavaja për çmimin që është një vlerësim edhe për gazetarinë në Shkodër e Shqipëri. /ShkodraWeb/