Shkruan në Facebook Evis Kushi, ministre e Arsimit: Sot, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës ju prezantojmë esenë fituese të javës në projektin “Mendimi im, Forca Ime”, që këtë javë angazhoi të gjitha shkollat e vendit. Fituesi i përzgjedhur është Krist Prendi, klasa 11, gjimnazi “Jordan Misja”, Shkodër.
Në viteëndjet e mia fjala Kosovë ka qenë dhe është e shenjtëruar. Po, po, e shenjtëruar! Shpirti lëkundet nga vendi me dy flamuj, njëri kuqezi, e tjetri blu. Kosova më rrëfen copa atdheu, më rrëfen netëve të gjata të dimrit se PLIS jemi në krejt trojet tona. E për më shumë, më bën me dije se ky vend është foleja ku bashkohen shqiponjat kuq e zi. Ky vend sot e përgjithnjë është klithma jonë e lirisë tok me ngjyrat e ëndrrës së madhe, ëndrrës që të parët e mi nuk e jetuan. Endrrës për liri…
Unë po! Sot, më 17 shkurt Liria e Kosovës mbush plot 15 vite. E brishtë, tekanjoze, por edhe e fortë. E dini se në dejet e mia rrjedh gjak shqiptari prej Kosove? Rrënjët e mia janë atje në Prizrenin e Lidhjes, prej nga ku gjyshja ime, asokohe vajzë e vogël u nis, teksa shtrëngonte fort duart e prindërve të saj, të cilët po largoheshin kokëmënjanë e përlotshëm.
Ikën me mallin e pamatë, ikën në kërkim të lirisë, në përqafim të jetës. Ikën me gëzimin e trembur të fëmijëve, nxënës të dikurshëm të stërgjyshit tim që nuk mundte ta thoshte fjalën shqip në shkollë. U larguan nga sytë këmbët prej dheut që adhuronin. Bota ia vodhi qetësinë si floririn e dheut amë. Kosova e tyre ishte kafshatë e ëndërruar e armiqve të përbetuar, Kosova e Isës, Ademit e Azemit e Shotës. Kosova e tyre ishte toka e njomur me gjak të bijve të saj, vendi i sharë, i vrarë, i dëbuar… E ata vrapuan bashkë me dëshirat e heshtura, duke mbartur si bagazh vuajtjet dardanase, pa mundur të ishin më në gëzimet, vdekjet dhe lindjet e bardha.
Të parët e mi ikën bashkë me ëndrrën e pashuar se një ditë Kosova do të ishte e pavarur, me besën e pathyeshme se të paktën njëri nga të tre do të përjetonte kënaqësinë që të fal liria. Ikën duke marrë me vete një betim që nuk mundën ta shkelin kurrë: se një herë lulja Kosovë, që nuk vyshket kurrë, do jetë e pavarur. 65 vjet pas ikjes së dhimbshme, pikërisht, me 17 shkurt 2008 Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia, duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë, por edhe të dhimbshëm, sepse për t’u arritur ky ideal historik, u derdh shumë gjak dhe u shuan shumë jetë.
Mes gëzimit ndjellalumturues që sillte kjo datë, teksa spikerët e lajmeve anëekënd botës ulërinin sihariqin e pavarësisë kosovare, gjyshja ime, tashmë plakë, mërmëriste lotësisht e gëzuar: Babë! Ndodhi! Bacalok erdhi!
Luftërat mbetën në log të bjeshkëve të Rugovës. Armët në muze të armëve. “Lufta s’vret, njeriu vret i pari” kish thënë dikur poeti Azem, që ashtu si stërgjyshi im nuk e mbërriti lirinë e Kosovës. Gjyshja ime po, iu gëzua Pavarësisë së 17 shkurtit 2008.