Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur të Himarës, arrestuar më 12 maj në lokalin e tij, kur po ofronte para për të blerë 8 vota me 40 mijë lekë, do të qendrojë në burg. Trupi gjykues i përbërë nga Erjon Çela, Flora Hajredini dhe Irena Gjoka brenda një orë vendosi ta denojnë 2 vjet burg, nga 2 e 6 muaj që kishte kërkuar edhe Spak me akuzën korrupsion aktiv në zgjedhje. Për bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, u vendos 1.6 vite burg, që konvertohen me 3 vite shërbim prove. Në vendim është përcaktuar konfiskimi i celularëve dhe i kartmonedhave. Në sallë mbeshtetësit e Belerit, thirrën – Turp.
Por para këtij vendimit, Fredi Beleri, tha në gjyq se qëllimi i arrestimit të tij janë zgjedhjet e reja në Himarë. Sipas Belerit, SPAK dhe prokuroria e Vlorës kanë vepruar nën urdhrat e qeverisë dhe dështuan të garantojnë një proces të rregullt gjyqësor në rastin e tij. Sipas tij, Rama do të zhgënjehet sërish në Himarë, pasi do të humbë edhe zgjedhjet e radhës.
“SPAK u përpoq të krijojë prova dhe të mbulojë gabimet e prokurorisë së Vlorës në procesin ndaj meje. U përdorën thëniet e një dëshmitari të dënuar për mashtrim siç ishte Arsen Rama. U shkel prezumimi i pafajësisë. Nuk ka pasur një proces të rregullt dhe u mohuan provat që unë paraqita në gjyq. Qëllimi i arrestimit tim janë zgjedhjet e reja në Himarë, por Rama do të zhgënjehet sepse do të humbë sërish. E kuptoj që trupi gjykues është nën presion, por u kërkoj t’i shërbeni vetëm drejtësisë”- u shpreh Beleri.
Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garoi për mandatin e tij të katërt. Por çështja e tij, u bë shkak për përplasjen mes dy kryeministrave, atë grek Mitsotakis dhe homologun shqiptar, Edi Rama. Greqia, e lidhi qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes Beleri me pozitën e saj si kandidate për integrimin në BE, duke i quajtur veprime që nuk përputhen me procesin e antarësimit në BE. Deklaratat “kërcënuese” u përshkallëzuan me deklaratën e Mitsotakis në Bruksel në korrik, ku e përshkroi çështjen Beleri si “element të vlerësimit grek të rrugës europiane të Shqipërisë”. Nga ana e tij kryeministri Rama e ka injoruar shqetësimin e Greqisë, duke e qujatur një çështje në duart e drejtësisë me të cilën qeveria s’ka lidhje.