Nga Nikollaq Neranxi
Unë kam vijuar duke punuar edhe në vitin e mbrapshtë 97 dhe i njoh shumë mirë gjobevënësit. Në fillim më dilnin me maska dhe duhej t’ju jepje patjetër para, përndryshe të vrisnin. Më vonë, filluan të miqësohen, hiqnin maskat dhe bënim dhe pak muhabet. Shpresonin shumë që rrumpalla në Shqipëri të zgjaste, sepse fitonin më shumë se unë që kisha biznes! Sot që kanë kaluar 20 vite, gjobëvënësit ka raste që i gjejmë në rradhët e gazetarëve. Rrjetet sociale dhe portalet iu kanë dhënë mundësinë që gjobevënien ta quajnë “denoncim”. Një rast i tillë më ndodhi dje, kur Rezart Lahi, i cili u bë personazh publik fillimisht si gazetar i Shijak Tv, kishte nxjerrë ca bajame me krimba në një tavolinë dhe thoshte që një shoku im i gjeti tek dyqanet “Neranxi”!!! Dritëshkurtër dhe dashakeqës, Rezarti i cili është edhe profesor, akoma nuk ka mësuar se profesionet e mashtrimit, shërbëtorit dhe gjobvënësit, nuk të çojnë larg.
Personalisht kam qenë gjithnjë i përgatitur për tu përballur me armiq, kundërshtarë e hajdutë të veshur me pushtet ose jo. E kam thënë dhe e përsëris, që vlera më e madhe që unë kam, është se jam njeri i lirë dhe i pa marrë peng nga askush dhe do mbroj deri ditën e fundit të jetës, çdo gjë që unë e kam bërë me djersë e mbi të gjitha, emrin dhe markën time. Kam qenë në vijë të parë teksa jam përballur me çdo lloj pushteti kur bëhej fjalë për cënim të interesave të gjithë shoqërisë, sepse kur dal kundër taksave të larta dhe gjobave, i shërbej të gjithë shoqërisë, edhe Rezartit. Kur dal kundër çmimit të lartë të energjisë apo ujit, i shërbej të gjithë shoqërisë, edhe Rezartit. Kur dal kundër grabitjes së pronave në bregdet nga mafia në pushtet, kjo i shërben të gjithë shoqërisë, edhe Rezartit. Në këmbim të këtij qëndrimi, kam patur mjaft probleme. Aq shumë kontrolle më bëjnë në kompani (shumica të pajustifikuara), me shpresën mos gjejnë ndonjë shkelje, sa më besoni nuk ngeli Rezarti nga facebooku të tregojë cilësinë e produkteve të “Neranxit”.
Në shërbim të pushtetit u vunë edhe disa gazetarë të njohur, duke më goditur mua apo emrin e biznesit tim. Natyrisht që njerëzit e zgjuar i kuptojnë qëllimet e tyre, por gjithsesi gjërat duhen thënë troç.
Psh, krimbat e Rezartit, i strehoi me shumë zell në portalin e saj Rudina Xhunga, duke përmendur emrin e kompanisë time. Rudina paska një problem të madh, qenka inatçore dhe hakmarrëse, pa i bërë asgjë të keqe, përkundrazi! Zhgënjyese për mua, sepse kisha shumë respekt! Kur hapi portalin e saj, kërkoi që ta ndihmoja duke vendosur reklamat e biznesit tim. Më tha që do të ishte zëri i së vërtetës në atë portal, sepse ishte pronë e saj, prandaj pranova. Por kur i kërkova të pasqyronte vjedhjen masive të pronave në bregdetin e jugut, nuk e bëri! Dhe unë nuk mund të bashkëpunoja me dikë që ose ka frikë, ose i shërben pushtetit dhe hoqa reklamat. Më erdhi keq, sepse kishte mundësi të ishte shqiponjë, jo të zgjidhte krimbat!
Të njëjtën gjë bëri Mero Baze! Nga zelli për t’i shërbyer Edi Ramës dhe Erion Velisë, një ditë hapi gazetën duke shkruar që unë i shërbej grekëve, kam pashaportë greke, këndoj hymnin grek dhe ca haluçinacione të tjera, vetëm sepse unë dhe bashkëqytetarët e mij, po luftojmë për pronat e trashëguara të cilat duan të na i grabisin. Nëse dikush e përdor kauzën tonë të pronave për qëllime të tjera, ky nuk është probemi im. Tani që unë e kam hedhur në gjyq për shpifje dhe cënim të nderit, madje tani që as pashaportë greke s’më gjeti dot, po ngushëllohet duke më luftuar me krimbat e Rezartit!!!
Për ta mbyllur, dua t’ju sqaroj se nuk e bëra këtë shkrim për tu qarë, unë jam luftarak, madje funksionoj më mirë kur më luftojnë. Por sinqerisht mendoj, si mund të kërkojmë të bëjmë përpara si shoqëri, kur i forti, tregtari i drogës, vrasësi, përdhunuesi, është burrë i mirë, madje është edhe pjesë e pushtetit, ndërsa njerëzit që punojnë me ndershmëri, paguajnë taksa, punësojnë njerëz, ngrejnë dhe zërin ndaj padrejtësive që i bëhet shoqërisë, luftohen jo vetëm nga pushteti, por edhe nga ata që kanë për mision të jenë përballë pushtetit, jo t’ju shërbejnë deri në neveri, siç po bëjnë këta që përmenda!?
Në këtë vend që shumicës i ka humbur shpresa dhe besimi, mua s’më ka humbur akoma. Të tre personazhet e këtij shkrimi, kanë nga një padi në Gjykatë për prishje të imazhit të Kompanisë “Neranxi”. Do përballem një për një me çdokënd që i ka hyrë sportit të rrezikshëm të gjobevënies, të cilët ashtu si hajdutët me maska të vitit 97, urojnë që kjo rrumpallë të vazhdojë pa fund. Por gabohen rëndë, këta tregtarë të rrezikshëm, nuk do mund të vazhdojnë gjatë të na e shesin errësirën për dritë dhe ky nuk është një kërcënim, por një premtim dhe detyrim që kemi, për të emancipuar shoqërinë!
Shenim: ShkodraWeb mori persiper botimin e ketij materiali pa i marre leje autorit z. Nikollaq NERANXI. Materiali eshte marre nga profili i tij ne Facebook. Pasi kemi bere disa hulumtime, kemi konstatuar se z. Neranxi nuk ka patur hapesiren e nevojshme per te dhene versionin e tij lidhur me akuzat qe i jane bere kompanise se tij nga individe por edhe media. Botimin e konsiderojme mbeshtetje ndaj “fjales se lire” por edhe bisnesit. Megjithate, ShkodraWeb distancohet dhe refuzon cdo kercenim qe mund ti jete bere ndonje individi apo gazetari nga kushdo, qofte politikan, bisnesmen apo qytetare i thjeshte. Nxisim te kercenuarit dhe organet e drejtesise te zgjidhin keto situata ne rruge ligjore. Cdo person i perfshire ne kete ceshtje, eshte i mirepritur me opinionin e tij ne ShkodraWeb, ne adresen info@shkodraweb.com.