I nderuem zotni kryeministër!
Pata rastin me u njoft’ me shkrimin tuej elozhues kushtue At Zef Pllumit. Ai shkrim për kah bukuria, meriton përgezime e unë do t’ dëshroja që autori i këtij shkrimi t’ meritonte edhe thanjen ”Si e sheh e shkruen”.
Unë kam kërkue nji takim me ju, tuj besue se respektoni edhe dëshiren e At Zef Pllumit si edhe të shumë tjerëve për shqyrtimin në mënyrë demokratike të kongresit politiko- gjuhësor të 1972.
Ju e dini se gjuha e xjerrun jashtë ligji prej atij kongresi, asht gjuhë e letrarëve ma të mëdhenj të Shqipnisë e s’ ka si të jetë ndryshe kur asht gjuha e krijimtarisë së poetit tonë kombëtar e të nji numri poetësh e prozatorësh shkrimet e të cilëve e bajnë të palejueshme fyemjen ma të randë që mund ti bahet nji krijimtarie duke e quejt gjuhën e tyne jo-letrare.
Ju e dini se kjo ngjarje asht vetëm shqiptare e që nuk i nderon vlerat tona kombëtare. Qendrimi i të gjitha qeverive në Shqipninë e post-komunizmit ndaj kongresit të 1972, asht i padenjë për shtetin e së drejtës.
Në letrën tuej model elozhimit për At Zef Pllumin, ju denonconi komunizmin. Për mue asht i pakuptueshëm dënimi i një sistemi politik e nderimi ma i naltë që i bahet vendimit të tij kryesor. E them vendim kryesor sepse e gjithë bota dy vlerat ma t’ nalta të nji kombi quen -pamvarësinë e gjuhën.
Nxjerrja jashtë ligji e nji gjuhe pa asnji pikël justifikimi e argumentash shkencore, nuk ka se si e nderon demokracinë që pretendohet se i respektohen normat. Kjo e vertetë do t’ duhej t’ ju kishte ba edhe ju atë pershtypje që i ban çdo intelektuali e megjithkëtë, lehet e shkelun kaq padrejtësisht jo vetëm gjuha e 75% e popullsis shqiptare, por gjuha e miratueme si nga albanologet ma në za ashtu edhe nga shkrimtarët e kostelacionit letrar të letërsisë tonë.
Ju e dini se historia do të arrijë me u ba e së drejtës e ajo histori nuk ka me e quejt të arsyeshëm as qendrimin e qeverisë tuej ndaj kësaj çeshtje kaq madhore. Gjithashtu e dini se asht zakon edhe të thuhet X ngjarje madhore ndodhi në kohen e X kryeministri e do t’kish qenë nji plus i madh edhe personal për ju nëse historia do t’ shënonte këto fjalë: “Në kohën e kryeministrit Edi Rama i’ u dha gegnishtes e drejta që meriton”.
Kongresi i 1972-shit tha ”duhet t’ jetë nji gjuhë, nji komb” edhe unë ujdisem me këtë, se të dy kryedialektet tona janë gjuhë shqipe, por kur dy dialekte në saje të thesarit gjuhësor që zotnojnë janë të denja për krijimtari të mëdha, nuk asht minus për gjuhën por nji plus i shkëlqyeshëm me pas të drejta të barabarta që u përkasin, e këtë të vertetë na tregojnë autorët e mëdhenj të dy dialekteve.
Siç dihet edhe norvegjishtja përbahet nga dy dialekte e meqenëse janë të vlerave të barabarta edhe Norvegjia demokratike, ua ka dhanë të dy këtyne krye- dialekteve të drejtën e barabartë. Kjo e drejtë tregon aftësinë e gjuhëtarëve të saj e mënyrën demokratike të vlerësimit. Nëse kjo e drejtë do t’ ishte edhe shqiptare, si At Zef Pllumi ashtu edhe shkrimtarët e tjerë do ta përgëzonin e ta përshendesnin vlersimin real të gjuhës shqipe. Une uroj që e verteta linguistike të mos mbetet viktimë politike por e vlerësimeve akademike .
P.S. Shpresa ime se ky shkrim do t ‘arrijë edhe tek ju. asht jashtzakonisht e vogël, megjithkëtë si qytetar i këtij vendi që jam e njeri i artit, e bana këtë shkrim për me i dal hakut vetes time, me shpresen se nuk do t ‘jem vetëm unë që synoj me i dal hakut vetes por këtë dëshirë do ta kenë edhe të tjerët e mbase edhe ju vete. Përshendetje. /Nga Gjok VATA, publikuar në FB/