Nga Blerti DELIJA
A ka nisur gjuetia e “peshqve të mëdhenj”?! Mund të jetë pyetje, por edhe konstatim njëkohësisht. Një strategji ndyshe, nga më i vogli tek më i madhi. Apo për të përcjellë “mesazhe” jo shumë të kriptuara?! A besoni se është rastësi që nisi nga “rrugët”? Unë nuk e besoj dhe mendoj se ka të paktën indicie që mund të hedhin poshtë “rastësinë”.
Opozita e sotme, PD+LSI, e kanë patur “monopolin e rrugëve” për një kohë relativisht të gjatë në dorë. PD e mbajti rigorozisht nga 2005 deri ne 2013. Dhe me emra të rëndësishëm atëherë dhe sot. Përmend vetëm dy: Lulzim Basha dhe i ndjeri Sokol Olldashi. Ky i fundit tashmë nuk përbën rrezik për askënd. I pari, sot është lider i opozitës.
Duhet sjellë në kujtesë që Basha ishte pjesë edhe e një procesi gjyqësor, i cili përfundoi për procedurë. Një rihapje e mundshme e çështjeve që lidhen me “rrugët” mund ta rikthejë sërish në vëmendje edhe “Rrugën e Kombit”. E natyrisht, niset nga poshtë për tu ngjitur lart. A është ky mesazhi i arrestimeve të ish- drejtorëve të ARRSH?! Mund të jetë pyetje por edhe konstatim.
Nga viti 2013 deri në 2017, “rrugët” ishin monopol i LSI-së. Sot në krye të saj nuk është më Meta- tanimë president, por Monika Kryemadhi e rrethuar nga ish- ministra të këtij sektori. Arrestimi i ish-drejtorëve të LSI-së është një mesazh i qartë për Meta- Kryemadhi. Nga ana tjetër, i asocion PD dhe LSI në sektorin e “rrugëve”.
Ka edhe një përceptim tjetër. Gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD-së, infrastuktura rrugore ishte pika më e fortë e arritjeve të saj. Me këtë lëvizje, duket se synohet edhe goditja politike.
E gjithë kjo erdhi në ditët t para të shkurtit, jo shumë larg fundit të muajit janar. Por me një ndryshim të vogël: duhet pritur akoma për “peshqit e mëdhenj”. Prokurorja e re, që “rastësisht” në startin e punës së saj nisi edhe vala e arrestimeve, ka vendosur ta nisë nga poshtë- lart “gjuetinë e peshkut”.
Deri në këtë nivel, nuk besoj se do të ketë reagim të fortë politik. Por nëse në skenë do të dalin urdhër- arreste për ish- ministra të PD dhe LSI-së, atëhere Marku do të duhet të përballet me akuzat e vënies së Prokurorisë nën urdhrat e Edi Ramës. Sepse është një prokurore e kontestuar në Kuvend dhe që opozita e konsideron të zgjedhur në shkelje të Kushtetutes dhe ligjeve.