Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Më datë 26.08.2023, në pikën e kalimit Kufitar Muriqan Shkodër, është arrestuar shtetasi rus Igor Kokunov. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol NCB Moskë, referuar vendimit penal administrativ dhënë nga Gjykata e Moskës më datë 18.02.2022. Gjykata ruse ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Marrja e një pozicioni më të lartë në hierakinë kriminale”, parashikuar nga neni 210/1 i Kodit Penal i Republikës së Rusisë dhe dënimi maksimal i kësaj dispozite është 15 vjet burgim.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit të shtetasit rus Igor Kokunov, për efekt të zbatimit të vendimit penal administrativ “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Moskës me datë 18.02.2022.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 578 (4901), datë 14.11.2023, ka vendosur:
-Pranimin e kërkesës.
-Lejimin e ekstradimit, të shtetasit K për efekt të zbatimit të vendimit penal administrativ “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Moskës me datë 18.02.2022.
-Një kopje e këtij vendimi t’i komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim Igor Kokunov, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe refuzimin e ekstradimit në Federatën Ruse.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 20.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Lutfije Celami, vendosi:
–Lënien në fuqi të vendimit nr.578 (4901), dt.14.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
-Një kopje e vendimit ti komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë.
Kush është bosi i krimit “Igor Kokunov”
Bosi i krimit Igor Kokunov, i njohur gjithashtu si “Vasya Bandit”, u arratis më 22 shkurt të vitit 2022 nga arresti shtëpiak në pritje të gjykimit, njoftonin gazetat ruse.
Kokunov akuzohet për krime të tilla si rrëmbimi, zhvatja, grabitja, mashtrimi dhe organizimi i biznesit të paligjshëm.
Vasya Bandit u arrestua nga autoritetet ruse në qershor të vitit 2020, ai gjithashtu akuzohet për koordinimin e kriminelëve në rajonet Sergiev Posad, Chekhov dhe Podolsk të rajonit të Moskës prej 27 vitesh.
Kokunov akuzohet për afro 30 vrasje në Rusi, ndërsa cilësohet edhe si koka e grupeve kriminale në Beograd, kryeqytetin e Serbisë. Gjatë qëndrimit në burgun e Reçit ka pasur informacione se bandat serbe mund të ndërhynin për arratisjen e tij.