Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë dhe ka refuzuar ekstradimin e Dritan Goxhajt në Hagë. Apeli ka urdhëruar gjatë seancës së sotme lirimin nga qelia të ish-ushtarit të UÇK-së.
Togat e zeza vendosën gjatë seancës së sotme ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duke rrëzuar kerkesën për ekstradimin e Dritan Goxhajt nga Shqipëria në Kosovë.
“U vendos heqja e mases se sigurimit “arrest ne burg “, per shtetasin D.G, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, date 20.07.2023 te Gjykates se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane. Urdherohet lirirmi i shtetasit Dritan Goxhaj, nese nuk mbahet per ndonje veper tjeter penale”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i Gjykatës:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit ndaj shtetasit me iniciale D.G, nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, ka vendosur:
– Pranimin e kërkesës .
– Lejimin e ekstradimit të shtetasit shqiptar D.G nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga shtetasi me iniciale D.G, i cili kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, deklarimin e pafajshëm dhe moslejimin e ekstradimit nga Shqipëria në Kosovë (Dhomat e Specializuara të Kosovës).
Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 10.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:
–Ndryshimin e vendimit Nr. 1204 Akti, datë 19.09.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
– Rrezimin e kerkeses per ekstradimin e shtetasit D.G nga Republika e Shqiperise ne Republiken e Kosoves.
– Heqjen e mases se sigurimit “arrest ne burg “, per shtetasin D.G, caktuar me vendimin Nr. 1123 Akti, date 20.07.2023 te Gjykates se Shkalles se Pare te Juridiksionit te Pergjithshem Tirane.
-Urdherohet lirirmi i shtetasit Dritan Goxhaj, nese nuk mbahet per ndonje veper tjeter penale .
Kush është Dritan Goxhaj
Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e Forcave Amerikane në Shqipëri.
Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.
Ish-anëtari i UÇK-së u arrestua më 31 Korrik dhe sipas Prokurorisë, arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimi, pas kërkesës së Gjykatës Speciale të Kosovës.
Goxhaj akuzohej për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.