Ka nisur seanca gjyqësore ndaj autorëve të dyshuar të atentatit me moto-bombë në Shkodër, Endri Çopja, Ardjel Lulaj dhe Serxho Teta. Seanca po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa të arrestuarit do të njihen me masën e sigurisë.
Prokuroria përfaqësohet në gjykim nga prokurori i rrethit, Anton Martini, dhe zv/prokurori i Shkodrës. Autorët e dyshuar si atentator të të ‘fortit’ të Shkodrës, Lulzim Kulla, mbrohen në gjyq nga avokati Genci Gjokutaj. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, kërkesë e cila është pranuar nga Gjykata e Shkodrës.
Tre personat e arrestuar, të cilët dyshohet se janë autorët e atentatit ndaj shtetasit Lulzim Kulla, me rreth 400 gr tritol, kanë mbërritur këtë mëngjes në Gjykatën e Shkodrës
Autorët e atentatit u kapën tri ditë më parë, pas një aksioni të gjerë të Policisë së Shkodrës dhe Elbasanit, ndërsa këtë të diel pritet të njihen me masën e sigurisë.
Shtetasit Endri Çopja, Alger Lulaj dhe Serxho Teta janë shoqëruar sot në gjykatë nën masa të rrepta sigurie. Ndërkohë, atentati ndaj ‘të fortit’ të Shkodrës, Lulzim Kullës, ndodhi në muajin janar të këtij viti, ku ai mbeti i plagosur rëndë, si dhe morën lëndime disa kalimtarë të rastit.
Në masën e sigurisë ishte prezent për herë të parë në një çështje prokurori i rrethit, Anton Martini.