Gjykata e Shkodrës i jep dritën jeshile ekstradimit të shtetasit Rus Igor Kokunov. Ai akuzohet për veprën penale të marrjes së detyrave në hierarkinë e lartë të strukturave kriminale në Rusi.
Mësohet se shkresa për ekstradim është firmosur nga zëvendës prokurori i përgjithshëm i Rusisë dhe jo nga prokurori apo ministri i Drejtësisë së Rusisë dhe kjo bie ndesh me Konventën Ndërkombëtare.
Avokati mbrojtës u shpreh se vepra penale për të cilën është i dyshuar Kokunov si pjesë e hierarkisë së lartë kriminale në Rusi nuk është e parashikuar në kodin penal të Shqipërisë dhe në asnjë dispozitë tjetër ligjore. Shehu thotë se klienti i tij nuk mund të ekstradohet në një shtet si Rusia që shkel të drejtat e njeriut.
Rusi kërkoi azil politik në Shqipëri, me pretendimin se në Rusi i rrezikohet jeta, por gjykata vendosi për ekstradim. Igor Kokunov ndodhej në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe dhe pak kohë më parë kishte informacion se grupet kriminale të Beogradit në Serbi dhe Kotorrit në Malin e Zi do tentonin lirimin e tij përmes arratisjes ndaj edhe për të janë marrë masa të rrepta sigurie.