Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike për të regjistruar ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin e mbajtur në 11 Dhjetor të vitit të kaluar. Të gjitha organet e PD- së konsiderohen të shkarkuara, ndërsa i vetmi organ legjitim konsiderohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi hodhi mbrëme akuza ndaj gjyqtarit, duke thënë se seanca u caktua vetëm pasi ai u takua me një përfaqësues të Berishës.
“Së pari, gjykata do të duhet të ketë kujdes dhe gjyqtari përkatës të mos i futet aventurave sic i është futur këto ditë. Gjyqtari nuk ka dosje në tavolinë dhe dje pasi ka patur një takim me një përfaqësues të Berishës ka caktuar datë për seanca pa patur dosje. Kjo është shkelje
Nesër është e pamundur të shqyrtohet. Ajo çka është bërë është çmenduri. Nëse gjyqtari i ka thënë burgut hapu, mund të bëjë çdo lloj çmendurie. Prandaj me shumë gjasa nuk do të ketë një vendim”, tha Bardhi në emisionin Frontline ne News24.
Pas deklaratës së Bardhit erdhi edhe kundërpërgjigja e përfaqësuesve të Komisionit të Rithemelimit. Drejtoresha e komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo, u shpreh se akuzat e Bardhit janë më të rëndat ndaj drejtësisë pas atyre të Kryeministrit aktual në 2007-ën ndaj Kolegjit Zgjedhor.
“Sot, para vendimit te gjykatës për Kuvendin e Partisë Demokratike të datës 11 dhjetor të vitit 2021, deputeti Gazmend Bardhi ka ndërmarrë ndaj gjykatësit të çështjes një sulm kërcënues të pashembullt që nga sulmi ndaj Kolegjit Zgjedhor të Edvin Ramës në vitin 2007. Deputeti Bardhi me sulmin dhe kërcënimet e tij publike ndaj gjykatësit para dhënies së vendimit, po kryen një vepër të rëndë penale, për të cilën ai do të vendoset para ligjit.
Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të padenjë, që përbën vepër flagrante penale dhe shton se sulmi i Bardhit ndaj gjykatësit, shpifjet dhe trillimet e tij, lidhen para së gjithash me çështje të tija personale me ligjin, për të cilat ai mban përgjegjësi direkte, dhe nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe normat e saj”, u shpreh Floriana Garo