Ish-oficeri i Policisë, Dritan Zagani, i cili denoncoi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin tha se është dënuar më shumë për shpërdorim detyre se ish-ministri.
“Të dënosh Saimir Tahirin 3 vjet e gjysmë për shpërdorim detyre, ish-ministrin tim, për ato që kam thënë unë. Ndërkohë që unë jam 4 vjet e gjysmë i dënuar për të njëjtën vepër penale,” – deklaroi ai.
Sipas Zaganit gjithnjë ka për të pasur lidhje të drejtësisë me krimin, por jo aq hapur sa u bë në kohën e Tahirit.
Ai gjykoi se dënimi i ish-ministrit nuk është i mjaftueshëm për gjithë dëmin që ka shkaktuar.
Zagani tha se interpretimi i ligjit duhet studiuar, ndërsa pretendon se gjatë gjithë kësaj kohe nuk i është paraqitur asnjë provë për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Ish-oficeri i antidrogës është aktualisht në Zvicër dhe ka marrë strehim politik. Nëse do të kishte besim do të vinte që nesër në Shqipëri, por sipas tij nuk ka për të pasur asnjëherë drejtësi.