Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë sot shumë i prerë dhe i ashpër lidhur me vendimin e gjykatave shqiptare për Dritan Dajtin. Në një dalje për mediat, Lleshaj ka folur me tone të larta kundër vendimit, duke u shprehur se gjyqtarët duhet ti bashkohen pas hekurave Dritan Dajtit. Madje, numri 1 i Ministrisë së Brendshme, përmes “Forcës së Ligjit” ka paralajmëruar edhe gjyqtarët. Reagimi i Lleshjat erdhi pas reagimit të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Këeshtu, atentat ndaj drejtësisë dhe fyerje për gjakun e dëshmorëve të Policisë e quajti ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vendimin për dënim me 25 vite burg ndaj Dritan Dajtit.
“48 orët e fundit kanë qenë orë të përjetimeve të rënda për familjarët e oficerëve të rënë në krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009, për Policinë e Shtetit dhe për gjithë qytetarët shqiptarë, si pasojë e një vendimi kriminal të disa gjyqtarëve që meritojnë plotësisht t’u bashkohen prapa hekurave klientëve të tyre.
Kam pritur këto 48 orë sa të sigurohesha që ky krim i njerëzve me imunitet ligjor dhe kushtetues të mos kishte si përgjigje vetëm një deklaratë publike, por edhe një reagim të fortë e të vendosur si dhe një proces të qartë ligjor”, tha ministri Lleshaj.
Ai deklaroi se ka nisur tashmë operacioni “Forca e Ligjit” për këtë rast duke kërcënuar gjyqtarët me burg.
“Edhe pse nuk mund të jap detaje, deklaroj se Operacioni ‘Forca e Ligjit’ është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit.” – u shpreh Lleshaj.
“Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por edhe mua si ministër i Brendshëm, derisa ky vendim jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por derisa autorët e këtij akti të pashëmbullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të policisë së shtetit të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë.” – u shpreh Lleshaj, i cili siguroi qytetarët se përgjigjja e institucioneve do të jetë e fortë dhe ligjore.
“Unë siguroj qytetarët shqiptarë dhe familjarët e dëshmorëve të Atdheut nga radhët e Policisë së Shtetit, se përgjigja e institucioneve do të jetë e fortë, ligjore, në përpjesëtim të drejtë dhe në respekt të plotë me thirrjen që buron nga amaneti i atyre burrave të Policisë së Shtetit shqiptar që dhanë jetën për një Shqipëri më të sigurt dhe më drejtë.”