Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranë, u përball të martën më 28 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Gent Shala përbëhet nga Firdes Shuli kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessing.
Shala e ka filluar karrierën e tij si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër në vitin 1999, pasi kishte shërbyer prej vitit 1995 në këtë gjykatë si ndihmës gjyqtar. Në vitin 2006, ai është emëruar anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, post që e ka mbajtur deri në vitin 2008. Në vitin 2010, Shala është emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, funksion që e ka edhe sot.
Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi tha në fillim të seancës dëgjimore se hetimi administrativ për gjyqtarin Genti Shala ishte përfunduar në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe të profesionalizmit.
Komisioni e vlerësoi pozitivisht gjyqtarin Shala për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Për 12 denoncime të kryera nga publiku, relatorja Bekteshi tha se një pjesë e tyre ishin të përsëritura dhe se shpjegimet e dhëna prej subjektit do të vlerësohen gjatë vendimmarrjes përfundimtare.
Megjithatë, Komisionin ko konstatuar një sërë problemesh të lidhura me deklarimet e pasurisë së gjyqtarit.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka konstatuar se gjyqtari Shala ka kryer deklarime të pasakta për pasurinë, se nuk ka burime të ligjshme për justifikimit e tyre dhe të shpenzimeve si edhe nuk i ka deklaruar gjithë pasuritë.
Përtej raportit të ILDKPKI, Komisioni ka ndërmarrë një hetim të pavarur administrativ për pasurinë e subjektit.
Komisioni ka hetuar mbi një apartamenti të me sipërfaqe 79 m2 në vitin 2000 për vlerën 19 mijë USD, i cili në vitin 2004 i është shitur për 1 milionë lekë burrit të tezes së subjektit. Gjyqtari nuk e ka deklaruar në deklaratat periodike të vitit 2003 dhe 2004, pronësinë të apartamentit dhe as të ardhura nga shitja e tij në vitin 2004.
Kjo pasuri është deklaruar nga subjekti në deklaratën veting. Në shpjegimet e dhëna ndaj KPK-së subjekti ka pretenduar se apartamenti nuk kishte qenë kurrë i tij, por për shkak të disa rrethanave të diktuara nga familja e tezes, i është dashur të kryejë këto veprime në emër të tyre. Shala ka depozituar në KPK kontrata dhe një prokurorë të posaçme të vitit 2001, për të mbështetur pretendimet e tij.
Sipas KPK-së në vitin 2004 apartamenti kishte kaluar në pronësi të bashkëshortit të tezes së gjyqtarit Shala. Ajo tha se në çmimin e kontratës së shitjes ishte vendosur vlera 1 milion lekë. Sipas subjektit kjo shumë që përfaqësonte një hua që tezja dhe bashkëshorti i saj u detyroheshin prindërve të tij.
Bekteshi vijoi se Shala kishte depozituar në Komision kontratat e nënshkruara dhe deklarata të vitit 1996, për të provuar rrethanat që pretendon se e kanë diktuar të ishte nënshkrues i akteve të blerjes dhe shitjes së pasurisë së familjes së tezes. Në seancën dëgjimore nuk u bënë të qarta rrethanat në të cilat ishin kryer nënshkrimet e kontratave për apartamentin në fjalë.
Komisioni ka hetuar për pasuritë në zotërim të familjes së tezes së gjyqtarit Shala, prej nga ka rezultuar se ata e zotërojnë ende apartamentin e blerë prej tij dhe se nuk kanë disponuar më parë pasuri të tjera të paluajtshme.
Ndërkohë, Komisioni konstaton se duket që familja Shala nuk ka pasur mundësi për ti dhënë familjes së tezes huanë në vlerën 1 milion lekë – si burim të së cilës ka deklaruar 500 mijë lekë nga kursimet e motrave dhe 500 mijë lekë nga kursimet e prindërve. Nga analiza financiare ka rezultuar se prindërit kanë qenë në pamundësi financiare me një balancë negative në shumën 548 mijë lekë.
Bekteshi tha se subjekti ka kërkuar që në përllogaritjet e Komisionit të përfshihen edhe të ardhurat e tij si gjyqtar dhe ka pretenduar se familja e tij kishte pasur mundësi kursimi për krijimin e vlerës 500 mijë lekë. Ajo shtoi se Shala kishte depozituar dokumentacion për të ardhurat nga puna si gjyqtar dhe ka kërkuar të përllogariten shpenzimet e jetesës për periudhën 1991-2000 sipas një vendimi të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Relatorja Bekteshi e pyeti gjyqtarin Genti Shala gjatë seancës dëgjimore se përse nuk ishin deklaruar periodikisht veprimet e kryera për shtëpinë e tezes.
Ai tha se kur shtëpia ishte ende në emrin e tij, kishte qenë deklarimi i parë dhe se gjërat nuk ishin shumë të qarta.
“Në fakt nuk ishte prona ime dhe do t’i kalonte pronarit. Shitjen në vitin 2004 nuk e deklarova se nuk kisha kryer deklarimin në vitin 2003. Kam dhënë shpjegime për gjithë historikun”, tha gjyqtari Shala.
Për një apartament të blerë në Shkodër në vitin 2012 në vlerën totale 99 mijë e 600 euro, ka rezultuar se është dakortësuar që çmimi të paguhet në tri këste.
Për shumën e paguar për këstin e parë në vlerën 24 mijë e 600 euro, Shala ka deklaruar si burime krijimi të ardhurat nga pagat e tij dhe e bashkëshortes, pensionet e prindërve dhe 1 milion lekë të përfituara prej shitjes së një apartamenti në vitin 2004.
Për pagesën e këstit të dytë në fund të vitit 2012 në vlerën 50 mijë euro, ai ka deklaruar një kredi të marrë në po këtë shumë. Për këstin e tretë në shumën 25 mijë euro, ai ka deklaruar se është ende i papaguar 8 vjet më vonë. Sipas Bekteshit, Shala ka shpjeguar se është rënë dakort me ndërtuesin që kjo shumë do të paguhej në momentin e shitjes së një apartamenti tjetër në Shkodër të privatizuar nga prindërit në vitin 1992.
Nga hetimi ka rezultuar se Shala ka përfituar edhe një sipërfaqe shtesë 20.2 m2 së bashku me apartamentin, që e ka blerë në shumën 1 milion e 160 mijë lekë. Edhe për këtë shumë, Shala ka shpjeguar se ishte rënë dakord se do të paguhej në momentin e shitjes së apartamentit të përfituar nga privatizimi.
Bekteshi tha se edhe pse ishte shlyer çmimi i apartamentit, ende nuk figuronte në emër të subjektit. Shala ka shpjeguar për Komisionin se administratori kishte pasur pretendime për likuidimin e një vlere 270 mijë lekë që kishte rezultuar si pasojë e ndryshimit të kursit të këmbimit. Sipas Bekteshit, subjekti ka sqaruar se e kishin zgjidhur këtë mosmarrëveshje me mirëkuptim dhe ka dorëzuar në Komision certifikatën e pronësisë në emër të tij.
Në analizën financiare për krijimin e kësaj pasurie, Komisioni nuk ka përfshirë vlerën 1 milion lekë të përfituar nga shitja e një apartamenti në vitin 2004, pasi Shala nuk e ka pasqyruar këtë transaksion në deklaratën periodike. Sipas relatores, subjekti nuk e kishte deklaruar në vitin 2004 vlerën 1 milion lekë të përfituar nga shitja, por as si gjendje cash.
Lidhur me pagimin e këstit të dytë Komisioni nuk identifikoi probleme. Sipas Bekteshit, dukej se subjekti kishte pasur mundësi financiare të investonte në blerjen e apartamentit dhe të shtesës, si edhe të përballonte shpenzimet familjare gjatë periudhës në të cilën është shtrirë analiza financiare.
KPK nuk ka gjetur gjendje të konfliktit të interesit mes gjyqtarit Genti Shala dhe shoqërisë ndërtuese.
Për një apartament me sipërfaqe 62 m2 në Shkodër të privatizuar në vitin 1992 në vlerën 12 mijë lekë, ku Shala rezulton të jetë bashkëpronar me pjesë takuese 33.3%, nuk u konstatuan probleme gjatë seancës dëgjimore.
Ndërkohë, Bekteshi evidentoi deklarimin e Shalës për një shtesë me sipërfaqe 35.4 m2 të kryer në vitin 1998, bashkëngjitur apartamentit të privatizuar. Si burim financiar për ndërtimin e kësaj shtese në vlerën 500 mijë lekë, Shala ka deklaruar kursimet e prindërve të tij dhe nga paga si ndihmës gjyqtar.
Bekteshi tha se Shala nuk disponon pjesë takuese në këtë shtesë dhe se të gjitha veprimet për ndërtimin dhe legalizimin e saj janë kryer nga babai i ndjerë.
Sipas Komisionit, burimet e deklaruara për ndërtimin e shtesës kanë qenë të paqarta. Nga analiza financiare është konstatuar një balancë negative në shumën 147 mijë lekë. Sipas Bekteshit, Shala ka shpjeguar se ndërtimi i shtesës ka zgjatur deri në vitin 1998 dhe se balanca negative kishte rezultuar si pasojë e mospërfshirjes në analizën financiare të të ardhurave të tij nga puna si ndihmës gjyqtar në shumën 625 mijë lekë.
Komisioni nuk ka gjetur probleme lidhur me një depo me sipërfaqe 5.7 m2, pjesë e apartamentit të privatizuar në vitin 1992, brenda çmimit 12 mijë lekë.
Gjithashtu, nuk janë gjetur probleme në blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2007 kundrejt vlerës 600 mijë lekë, si dhe ka rezultuar se ai ka pasur mundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie të luajtshme.
Bekteshi evidentoi pamundësi të gjyqtarit Shala për krijimin e një gjendje cash në shumën 200 mijë lekë në vitin 2016. Sipas relatores, nga analiza financiare për vitin 2016 ka rezultuar një balancë negative në shumën 360 mijë lekë.
Ajo tha se Shala i kishte kontestuar konkluzionet e KPK duke pretenduar se kriteret e ILDKPKI për përllogaritjen e shpenzimeve jetike e “humbisnin sensin” kur bëhej fjalë për familje të madhe, që në këtë rast kishte qenë me shtatë persona.
Sipas Bekteshit, subjekti kishte dorëzuar një përgjigje nga INSTAT ku parashikohej se si mund të përcaktohej konsumi i familjes së tij të madhe.
“E pranoj se një familje me gjashtë individë shpenzon më shumë se një familje me tre, por jo dyfishin”, deklaroi gjatë seancës dëgjimore gjyqtari Genti Shala.
Bekteshi shtoi se ai kishte kontestuar edhe përllogaritjet për udhëtimet jashtë shtetit si dhe ka kërkuar që të ardhurat e përfituara nga shitja e një autoveture të përllogariteshin të ndara, një pjesë në shumën 80 mijë lekë për vitin 2016 dhe 300 mijë lekë për 2015-ën, pasi kështu ishte rëndë dakord që të shlyhej çmimi i shitjes. Shala ka pretenduar para Komisionit se rezultonte me balancë pozitive në vitin 2016 dhe se kishte pasur mundësi për krijimin e gjendjes cash në shumën 200 mijë lekë.
Për një automjet të blerë në vitin 2015 prej bashkëshortes në vlerën 600 mijë lekë, Komisioni evidenton pamundësi financiare në shumën 554 mijë lekë. Bekteshi sqaroi se në analizën financiare nuk është konsideruar vlera e përfituar nga shitja e autoveturës tip Benz e deklaruar si burim, pasi shitja e kësaj të fundit është kryer një vit më vonë.
Për një shtëpi banimi 239.85 m2 në Shkodër të trashëguar nga bashkëshortja e gjyqtarit Shala, ku si bashkëpronare ajo zotëron 33.3 % të kësaj pasurie, nuk janë gjetur probleme. Nga hetimi i KPK ka rezultuar se kjo pronë i përket familjes së origjinës së bashkëshortes që prej vitit 1930.
Komisioni konstaton një balancë negative në vlerën totale 1.1 milion lekë gjatë gjithë periudhës kur është shtrirë hetimi administrativ.
Bekteshi tha se gjyqtari Shala i ka kontestuar të gjitha konstatimet për balancat negative në vite duke kërkuar ndryshim të përllogaritjeve të shpenzimeve jetike dhe të udhëtimeve TIMS.
Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtari Shala tha se u qëndronte pikë për pikë gjithë parashtrimeve që ka dorëzuar me shkrim. “Kam jetuar gjithmonë me prindërit, kemi qenë një familje”, tha ai.
Duke u shprehur se nuk kishte asnjë vërejtje apo kundërshtim për hetimin administrativ të kryer për rivlerësimin e tij, gjyqtari Shala kërkoi konfirmimin në detyrë.
KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 4 gusht, ora 09:15. /BIRN/