Në Spitallë të Durrësit, familja Lala nga Sukthi jeton shumë pranë familjes Gjakozaj nga Oroshi i Mirditës. Deri mesditën e djeshme fqinjë të mirë, ndërsa sot një ditë pasi djali 17-vjeçar i Lalajve, Devi Lala qëlloi me thikë duke i shkaktuar vdekjen bashkëmoshatarit të tij Angjelo Gjakozaj, ata janë kyçur në shtëpi.
Një makinë policie qëndron në lagje dhe po mban nën mbikëqyrje dy familjet, për të mos lejuar ndonjë konflikt të mundshëm mes tyre.
Nga kangjellat e portës së mbyllur, gjyshi i adoleshentit, Frrok Lala ka dhënë një mesazh për fqinjët e tij. Tepër i indinjuar ai shprehet se të dyja familjet ndodhen në të njëjtën situatë, ndërsa dënon ashpër veprimin e nipit.
“Jemi shumë të indinjuar, dënojmë ashpër veprimin e nipit tonë. Iu kërkojmë falje familjes që humbi djalin e tyre. Nuk kemi dijeni se përse janë zënë djemtë. Ndjejmë të njëjtën dhimbje si prindërit e viktimës, pavarësisht se arkimorti është në familjen e tyre”,- shprehet i moshuari.
I moshuari thotë më tej se kjo është ndjesa e dytë që i dërgojnë familjes së viktimës.
“I kemi kërkuar falje dhe u kërkojmë edhe falje publike për veprimin e nipit tonë. Nuk e mbështesim nipin, duam të marrë dënimin e merituar nga drejtësia”,- thotë ai. /balkanweb.com/