Nga Dashnor KALOÇI
Më 19 korrik 1946, gazeta “Bashkimi” e asaj kohe, shpalli vendimin e gjyqit të Shkodrës, kundër 21 të akuzuarve si: “Kriminelë lufte dhe armiq të popullit, pjesëmarrës në Kryengritjen e Malësisë së Madhe”, ku thuhej se, Llesh Marashi, Don Alfons Tracki, Kolë Ashiku dhe Nikollë Preng Deda, ishin dënuar me vdekje dhe me pushkatim. Luigj Dushaj, i biri i një prej të dënuarve në këtë gjyq, dëshmon për Memorie.al, gjithë atë kalvar mundimesh dhe vuajtjesh që kanë shoqëruar atë dhe familjen e tij, për vite të tëra, gjatë periudhës së regjimit komunist që nga 1945-sa, deri në 1990-ën. Madje ai nuk heziton të përmendë dhe emra për persona konkretë, si tentuan ta implikonin e ta përfshinin në gjyqet kundër shokëve, si ushtroi në mënyrë ilegale pikturën, përmes çentrove dhe shitjen e tyre në Tiranë, e deri tek rrëzimi i bustit të Stalinit, në mes të qytetit të Shkodrës, në janar të vitit 1990, bashkë me Dedë Kasnecin, etj. Pas kësaj, në vitin 1990, ai emigroi jashtë, për të mbërritur në Suedi, ku fitoi azil politik, ndërkohë ai ka hapur ekspozitën e parë me punimet e tij. Për më shumë, Luigj Dushaj, i ardhur nga Suedia, na njeh në këtë intervistë.
Zoti Luigj, me çfarë ishte marrë babai juaj, Nikolle Preng Deda, deri në periudhën që ai u arrestua nga komunistët e sapoardhur në pushtet dhe ç’lidhje kishte me të dënuarit e tjerë të atij gjyqi?
Para se të merrnin pushtetin komunistët, prej 3-4 vjetësh. baba ishte në punë se kryetar komune i Malësisë së Madhe, me qendër në Shkrel. Edhe sot ka ende gjallë shumë njerëz, që e mbajnë mënd babën në atë funksion dhe disa prej tyre, më kanë ndalur në rrugë dhe më kanë thënë se; ai na ka thirrur dhe na ka grumbulluar të rinjve, që në vitin 1938 dhe na ka thënë që të keni kujdes, se Shqipëria mund të rrezikohet nga bolshevizmi. Pra, kjo tregon se baba ka qenë kundër komunizmit, që para periudhës së pushtimit të Shqipërisë. Veç të tjerash, kjo vinte se ai ka pasur shumë shoqëri me njerëz intelektualë të njohur, si Kolë Ashiku, e të tjerë, prandaj i kanë ditur ata punët mirë. Dhe nisur prej kësaj, ai ka marrë pjesë në organizimin e rezistencës antikomuniste, së bashku me Prek Calin, Llesh Marashin e me të tjerë dhe në saj të tyre, ndodhen kryengritjet e para kundër atij sistemi komunist, si Kryengritja e Postribës, etj. Me siguri që, mungesa e organizimit e shumë gjëra të tjera, çuan që ata të dilnin në mal, pasi regjimi komunist në fuqi, e kishte nënshtruar edhe Malësinë e Madhe, një pjesë të mirë të saj.
Sa vjeç ishte babai juaj në atë kohë, pra në vitin 1945, kur erdhën komunistët në pushtet dhe a kishte më influencë ai në Malësinë e Madhe, ku kishte qenë kryetar komune dikur?
Babai në atë kohë ishte 36-37 vjeç dhe patjetër që kishte influencë në mjaft familje të Malësisë së Madhe. Ai kishte disa miq, kishte motrën e vet të martuar atje në Dragan, të cilët e mbajtën 18 muaj të strehuar, duke i çuar për të ngrënë e të gjitha. Mbaj mend, që thuhej se ai asnjë ditë nuk pranonte t’i çonin ushqimin, nëse nuk i çonin dhe gazetën.
Ku ja gjenin gazetën ata?
Ata bënin disa orë rrugë në këmbë nga Shkodra në Koplik, për t’i çuar atij gazetën. Pas 18 muajsh dhe pas shumë përpjekjeve e shumë vuajtjeve. Ai strehohej, te Lek Mirukaj, një familje shumë e mirë malësore, me tradita të mrekullueshme. Herë pas here, forcat partizane në atë kohë, i kanë bërë tortura dhe presione nga më të ndryshmet, derisa një person të asaj shtëpie e kanë mbytur duke e rrahur, Gjon Lekë Mirukaj e kishte emrin ai.
Ç’ndodhi pas këtyre presioneve që iu bënë asaj familje nga forcat komuniste?
Ata shkuan dhe i thanë babait tim: “Nikollë, ne bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka tërë jetën për ty. Si mendon ti, a të çojmë diku përtej kufirit, ik ne Itali apo diku tjetër dhe shpëton nga kjo pune”?
Si u përgjigj babai?
Ai u tha: “Absolutisht nuk e lë Shqipërinë. Por unë ju kuptoj shumë mire, meqë ka ardhur puna deri këtu, sa të ju vrasin si familje, thuaji Bejto Fazlisë, ka thënë Nikolla, se unë dorëzohem me një kusht: Të shkojmë poshtë te motra ime, të gjithë së bashku si jemi, (sepse ai ka pas mbaruar shkollën me Bejton), të shkojmë të hamë e të pimë si vëllezër, por nuk dua të më lidhni deri në Shkodër”.
E pranuan komunistët atë kusht që u vuri baba juaj?
Ata i kanë dhënë fjalën që nuk do të lidhim, duke bërë që të shkohet me qetësi deri në vendin e caktuar, ku ishte strehuar baba. Pas kësaj e kanë marrë babën dhe kanë ngrënë tek halla ime, pastaj e kanë lidhur. Në këtë kohë që e kanë lidhur babën, ai ua ka bërë me gisht atyre dhe i ka thënë: “Bejto Fasllia, u kam njohur me kohë si burra të pabesë, më ke çu fjalë se nuk të lidhi”. Por, nuk ka dasht me dit njeri, për fjalët e tij dhe e kanë marrë më në fund, ashtu të lidhur e kanë sjellë në Shkodër, e kështu ka qëndruar disa muaj në hetuesi duke e torturu barbarisht. Pastaj është pushkatuar me vendim të gjykatës, me prokuror Aranit Çelën.
Sa vjeç ishit ju, i mbani mënd këto ngjarje të babës tuaj?
Unë i mbaj mend, se kam qenë vetëm 4 vjeç e gjysmë, por e mbaj mend dhe kur kam hyrë në gjykatë këmbëzbathur, sa që habitem dhe sot se si kam hyrë dhe e kujtoj si tani që ai është dënuar, bashkë me Kolë Ashikun, Llesh Marashin, Dom Alfons Trackin, Kel Abatin, etj. Ata u dënuan tek një kinema e bukur që ka qenë atëhere në Shkodër dhe që është djegur më vonë. Ata i kanë lidhur dhe i kanë shëtitur në “pjacë”, (si i themi ne në Shkodër te “Kafja e Madhe”), dy nga dy i kanë rrethuar me ushtarë e policë, duke i çu nga burgu, në sallën e gjyqit dhe anasjelltas. Të nesërmen, pasi ka mbaru gjyqi, (e mbaj mend edhe sot, se nuk më ikën asnjëherë nga kujtesa ajo skenë), ka qenë 17 korrik 1946, kur në ora 4 e gjysmë e mëngjesit, ne kishim fjetur jashtë, se na i kishin marrë edhe lugët e shtëpisë, shtruar me ca shtresa se ishte verë atëhere, kanë kërcitur automatikët, plumbat e pushkëve, diku pas Varrezave Katolike në Shkodër.
A e kuptuat ju në familjen tuaj se përse ishin ato pushkë në atë orë të mëngjesit?
Unë kam qenë shumë i vogël dhe nuk mbaj mend shumë mirë, por mbaj mend që nëna ime dhe nëna e babait, u çuan në këmbë dhe bërtitën me të madhe, se e dinin që janë pushkët, që po vrisnin ata djem të rinj. Atëhere e mbaj mend shumë mirë, kur më ka marrë nëna e babait për dore, se nuk e kemi pasur shumë larg shtëpinë nga aty dhe më ka çuar tek varrezat. Aty ishin ata ushtarët me pushkë dhe gjyshja ime, duke vajtuar me të madhe, donte të hynte tek i biri, por nuk e lanë. Ajo ishte grua e fortë, nuk e di as unë, se si i dha zoti forcë e u fut brenda dhe i ra sipër të birit, ata e kapën nga krahu dhe duke e shtyrë me tytat e pushkëve, i qorruan dhe syrin…! Këtë nuk e harroj deri sa të vdes. (përlotet)
Çfarë ndodhi me ju dhe familjen tuaj, pas pushkatimit të babait?
Ehhh mos e pyet, ça me tregu?! Vazhdoi persekutimi për gati 45 vjet, me mua personalisht, me nënën time, me vëllezërit, me motrën. Absolutisht një fukarallëk i madh shpirtëror, ekonomik dhe në të gjitha drejtimet. Katër jetimë pa asgjë në shtëpi, absolutisht asnjë ndihmë, asnjë lek, asgjë fare. Sepse babai im, edhe pse kishte qenë kryetar komune, nuk ka qenë një njeri, që ka fituar shumë para, ka qenë një njeri i thjeshtë, një punëtor i ndershëm, një nëpunës i ndershëm, ka bërë një shtëpi të vogël në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër dhe kemi jetuar për bukuri, deri sa u arrestua baba. Por edhe ato që kishim na i morën dhe ne na shkoi jeta, si fukarenj të shkundur dhe në rritje e për çdo vit, persekutimi shtohej se në shkonim duke u rritur dhe duke përballuar në kurriz, këtë persekutim.
Me çfarë e keni përballuar jetesën, ku kanë punuar pjesëtarët e familjes tuaj?
Nëna punonte me kazmë në fidanishten e Ndërmarrjes Pyjore në periferi të qytetit të Shkodrës. Fillimisht e futi në punë doktor Borja, (një doktor shumë i njohur në Shkodër, që e njeh gjithë Shqipëria), e futi në Spitalin Civil në Shkodër, si sanitare në kirurgji. E morën vesh dhe pak më vonë e hoqën nga puna, sepse ishte e shoqja e filanit. E çuan në fidanishten e Pyjore me kazmë, kishte nja tre vajza të reja, që punonte me to, ishin vajza të mrekullueshme dhe ato ishin si puna jonë të presekutume dhe për atë gjë, i kishin futur në kazmë. I rrinin afër nanës dhe ajo i mbante afër, pasi dhe i këshillonte, se normal, ishin të reja. Punonte me kazmë dhe atëhere me sa mbaj mend unë, merrnin 1.500 lek (të vjetra) në 15 ditësh. Por e hoqën dhe nga ajo fidanishte, se shihej si privilegj, ngaqë ishte afër shtëpisë dhe e çuan në Bushat. Nana ka vuajtur shumë me katër jetimë dhe me nënën e babait 80 vjeçe, e cila dhe luajti mendsh, se s’bënte punë tjetër, vetëm mbante fotografinë e të birit (babës tim, Nikollës) dhe thoshte: “Si ma vratë djalin kot”?
Ju vazhduat shkollën…?
Unë mbarova shkollën 7 vjeçare, dhe më pas daja im, ndërhyri me një mik dhe më futi në Pedagogjike. Kreva shkollën Pedagogjike dhe me çuan mësues në Lezhë. Qëndrova 3-4 vjet në Lezhë si mësues dhe më pas në Trashan të Zadrimës, aty u njoha me Padër Filip Mazrreku, njeri i mrekullueshëm, kam mësuar shumë prej tij. Por për 3-4 vjet ndejta aty, se më morën ushtar. Atje nuk më lejuan me prek pushkë me dorë, absolutisht jo vetëm mua por edhe të tjerëve. U ktheva në Shkodër pasi mbaroi dy vjeçari ushtrisë dhe fillova me kërku punë, se nuk kishim me ça me jetu.
Nuk ju çuan në arsim, ku kishit qenë para ushtrie?
As bëhej fjalë për arsimtar, absolutisht jo, sepse filloi lufta e klasave. Kështu ka vazhduar jeta ime deri sa kam ikur në 90-tën, që më kanë pushuar 5 herë nga puna. Kur e merrnin vesh se, është i biri i filanit, (se dikush tregonte, apo me letra anonime), më pushonin nga puna. Më ka ndodhur që ndër këto 5 herë, që jam pushu nga puna, deri në 6 vjet nuk kam firmosur në bordero absolutisht.
Si keni jetuar, si e përballonit jetesën?!
Unë kam bindje se Zoti është i madh. Mua më ka ardhur gjithmonë dorësh për pikturë, vazhdoja pikturën, por nuk kisha asnjë mundësi ku me e ushtru. Fillova të bëj çentro me grep, (punë dore si gratë dhe vajzat), fshehurazi kam pas hapur një vrimë tek dera e oborrit dhe sa herë trokiste dera, asnjëherë as unë, as gruaja dhe as djali im, nuk e hapnim derën, pa shiku më parë se kush ishte, se ekzistonte frika se mund të më arrestojnë.
Ku i shisnit ato çentro që bënit?
Me vështirësi të madhe. Kam ardhur dhe deri në Tiranë me biçikletë, kam sjelle çentrot, i punoja disa javë rresht disa komplete, (anije me vela, etj.), me fshehtësinë më të madhe, se kishim frikë se do të bëhej shkak, të më fusnin në burg. Ashtu në fshehtësi kam arritur të shes çentro, (anije, allçina), por ishte shumë e vështirë, pasi mua si person, më vinte shumë zor, t’i thoja dikujt a dëshironi të blini nga këto?! Lëre pastaj që edhe shitja në rrugë, ishte e ndaluar.
Si arrinit t’i shisnit?
Nuk kishte dyqan në Tiranë që nuk e ndaloja biçikletën dhe, p.sh., e merrja kështu çentron dhe e fusja në një dosje kartoni dhe e ktheja pak fletën e kartonit, që të dukej pak çentroja (që ishte ajo lulja e punuar) e, u thoja: A keni kafe? “Jo s’kemi thonin ata”, se ku gjendej kafja atëhere. Ata e shihnin çentron dhe më thonin: “Uaa, po kjo ç’është”? Çentro, u thoja unë. “Po ku e gjete mor, a bën ti shoh, sa të bukura qenkan”. Unë kam arritur të shes me qindra çentro, se më ndihmoi zoti.
Përveç këtyre punëve private, nuk keni tentuar për të punuar ndonjëherë në punë shtetërore?
Po kam punuar edhe punë shtetërore, pasi ka pasur dhe atëhere njerëz të mirë që më ndihmonin edhe pse kisha babën të pushkatu. Nuk duhet ta harroj kurrë ka qenë një mjek, doktor Sandër Ashta, neuro-psikiatër (që jam rritur me të), ai ka vdekur tash dhe nuk ia harroj kurrë. I vetmi person, drejtor spitali në Neuropsikiatri, dy herë më ka futur në punë personalisht ai vetë, pa asnjë lloj interesi. Herën e fundit pas 6 vjetësh që më kanë lënë pa punë, më ka futur diku në rehabilitim në Psikiatri, në Spitalin Neuropsikiatrik në Shkodër, ku kam punuar 5 vjet. Kam punu më pas dhe në Fushë-Arrëz si dizenjator, etj.
Kur punove në punë shtetërore, ka pasur momente që ju kanë provokuar?
Kur isha me punë si dizenjator në Fushë-Arrëz, mbaj mend që kishin futur në burg një rrobaqepës, Kolec Traboini, quhej. Më thirrën në Degën e Brendshme e Pukës, urgjent. Unë isha në Shkodër dhe më lajmërojnë e më thonë; të vish urgjent, se të kërkon Shefi i Degës së Brendshme në Pukë. Të them të drejtën, kisha shumë frikë se thoja pse po më kërkojnë ata mua, por me siguri thashë më ka treguar ndokush (punën e biografisë) dhe po më thërrasin.
Përse ju kishin thirrur?
Për punën e Kolecit, atij rrobaqepësit që kishin arrestuar. Më kanë bërë një presion të jashtëzakonshëm. Ata donin që të më fusnin dhe mua në atë valle, që të dëshmoja se; Koleci ka sharë Partinë edhe Enverin, sa herë që kishim qëndruar bashkë në Fushë-Arrëz. Deri në fund, më kanë bërë presione nga më të ndryshmet dhe pastaj në fund, më kanë thënë: “Mirë, i kujt je ti”? I filanit i kam thënë. “Pse të ka vdekur babai”, më kanë thënë? Atë unë nuk e di e ka vrarë pushteti dhe nuk di asgjë më shumë, u kam thënë dhe më liruan pasi e panë se nuk po më thyenin dot.
Nisur nga biografia dhe rrethanat familjare që kishit, patët vështirë të krijonit familje?
E vështirë ka qenë pa diskutim. Unë krijova familje u martova me një grua, që faleminderit Zotit, jam shumë i lumtur me të. Ajo ishte mësuese atëhere, ishte në qytet dhe vetëm pse u martua me mua e hoqën dhe e çuan nëpër fshatra.
Ku keni punuar në vitet e fundit para se të rrëzohej regjimit komunist në Shqipëri dhe si i kujton atë kohë lëvizjet që u bënë në qytetin e Shkodrës, si mesha e parë te Varrezat e Rrmajt, demonstratat për rrëzimin e bustit të Stalinit, etj?
Në vitin 1989, unë punoja në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës, kur fillo dalëngadalë me plas ajo punë. Unë kam qenë në Tiranë atë ditë (me shit çentro), që është mbajt mesha në Vorret e Rmajt nga Dom Simon Jubani, më duket ka qenë nata e Krishtlindjeve ose një natë përpara. Aty e kam kuptuar, që ka mbaruar ajo punë, pra aq e pati ai regjim. Për mendimin tim shkëndija më e madhe dhe e para ka qenë në Shkodër, me rrëzimin e bustit të Stalinit, aty unë kam qenë ndër ata më kryesorët, me Dedë Kasnecin, Flamur Elbasanin, Rin Monajkën, Gjergj Livadhin e me radhë të tjerët (se s’po i përmendi të gjithë), që hëngrën burg e u torturuan barbarisht.
Si e kujtoni atë ngjarje?
Kanë dalë trakte më 13 janar 1990, një natë përpara kanë dalë trakte nga shtëpia ime dhe Dedë Kasneci ka ardhur t’i marrë bashkë me nipin e tij, Viktor Kasnecin në mos gaboj. Jam aktivizuar aq sa kam mundur, ndodhi çfarë ndodhi, por në 90-ën u mbyll pastaj ajo punë. Pastaj vazhdoi në Kavajë, studentët në Tiranë e kështu me radhë ka vazhduar.
Kur dhe si u larguat nga Shqioëria?
Në vitin 1990, sa nisën me u dhënë pasaportat e para, diku nga fillimi i verës së atij viti, nuk durova më dhe kam shitur shtëpinë në Shkodër 1000 dollarë dhe kam ikur me gruan dhe me fëmijët në Berlin, nga Berlini në Suedi. I gjithë ku udhëtim pas disa peripecish, që nuk ishin aspak të lehta, ishte ’90-ta atëhere dhe kishte shumë probleme, se vazhdonin të vinin emigrantë nga Europa Lindore, për në vendet Perëndimore. Kemi shkuar me traget në Trelemorje (është qyteti më jugor i Suedisë), dhe aty vajtëm me shumë frikë, pasi nuk kishim vizë, vizën e kishim deri në Gjermani. Pasi zbritëm nga trageti, kam shkuar menjëherë në polici dhe kam kërkuar azil politik. Pasi u tregova të gjitha arsyet, që më kishin shtyre për të shkuar deri aty, suedezët më kanë ndihmuar, duke më plotësuar të gjitha kushtet, njësoj siç jetonin vetë ata.
Dhe atje ushtroni profesionin si piktor?
Kam punuar rreth 60 punime nga Shkodra e vjetër. Kam qenë njeriu më i lumtur në botë, kur është hapur ekspozita në Suedi, nuk ishte problemi i parave, por ishte problemi se unë ndjejsha se kisha fituar, pasi babain ma vranë, por talentin jo.
Në bisedën që bëmë para se të fillonim këtë intervistë, më treguat se zotëroni një medalje e cila është e vitit 1925, “Medaljen e Meritës”, dhuruar nga Papa Pio i 11-të, Padër Gjergj Fishtës. Si ju ka rënë në dorë dhe pse ky pasion i juaji ndaj kësaj figure?
Që i vogël jam edukuar me thëniet dhe me vargjet e këtyre poetëve, nga nëna, nga motra që ka qenë më e madhe dhe kështu kam vazhduar sa që më duket sikur e kam shkruar Fishtën vetë me dorën time. Fishtën e kam dashur dhe e dua aq shumë, sa që kam hapur ekspozitë edhe atje me albanologët suedezë, tek ndërtesa e Françeskanëve në Shkodër. Para disa viteve, i propozova njërit prej atyre françeskanëve, se mund të bëjmë diçka për Fishtën. “Me gjithë qejf”, më tha ai. Materiale kishte sa të duash dhe doli diçka shumë e bukur. E mbaj mend në “pjacë” në Shkodër unë kam qenë me dy ftesa në dorë dhe donim të i’a jepnim një shoku. E thirra, pas meje ishte një djalë i ri, të cilin nuk e kisha parë kurrë, e ai më thërret. Urdhëro i thashë. “A ke mundësi të ma japësh dhe mua një ftesë”, më tha ai? Po me gjithë qejf, i thashë. Kushdo që dëshiron, mund të vijë.
Nuk e njihnit atë?
Jo aspak nuk e njihja dhe prandaj i thashë: po kush je ti, se nuk po të njoh? “Unë – tha – jam filani, me mbiemër Zojzi”, familje shumë e mirë në Shkodër, gjysh pas gjyshi. Ai më tha: “Unë dua të të jap këtë medaljen e Fishtës, që ia ka dhënë Papa më 1925-ën. Takohemi sot në 5 pasdite, që ta sjell”. Kur ma ka thënë këtë fjalë, trupi më dridhej e thoja me vete si është e mundur me më ra mua në dorë medalja e Fishtës?!
Si keni menduar për këtë medalje, kaq të rrallë dhe me vlera të mëdha, do e mbani apo…?!
Për mua ka rëndësi që kjo medalje, kur ti vijë koha, të jetë aty në vendin ku e meriton. /Memorie.al/