Artan Hoxha, gazetari i njohur investigativ ka intervistuar pak para vendimit për t’u vetëdorëzuar në polici, Klement Balilin. Hoxha ka pohuar se ka zhvilluar një intervistë në orët e vona të natës dhe biseda me të do të transmetohet nesër në televizionin ku ai punon, Report Tv. Ndërkaq, gazetari ka habitur lidhur me arsyen e mosarrestimit të Balilit deri tani.
Sipas Hoxhës, ka ndikuar pamja ndryshe e të shumëkërkuarit i cili në fakt, thjesht ka humbur disa kilogramë gjatë këtyre viteve arrati.
“Unë e kam marrë në intervistë Klement Balilin. Ai sqaron pse ka zgjedhur këtë rrugë, politika e ka përfshirë në një vorbull, ka qenë një patate e nxehtë. Kjo intervistë është bërë në orët e vona të natës, unë s’mund të tregoj me detaje ku por ramë në një marrëveshje. Mua më interesonte të fliste për pozicionin e vet. Ndryshon shumë, me intervistën që kam bërë në maj 2016, nuk ishte e lehtë ta njihje. Klement Balili nuk është larguar nga Shqipëria, pamja e ka bërë të vështirë ta njihnin. Një njeri kaq i kërkuar nga agjencitë ligjzbatuese, agjencitë e huaja. Imazhi i tij kishte ndryshuar dhe kjo e ka ndihmuar të ishte një njeri i vështirë për t’u kapur”, tha gazetari ndërsa foli edhe për një “aftësi të pazakontë” të Klement Balilit.
“E kam pyetur si ke mundur ti mbijetosh të paktën 16 operacioneve, e kërkonin në 178 vende të botës, edhe nga DEA por ky person me një aftësi të pazakontë, të mbijetojë, t’i përshtatet, tu shpëtojë kërkimeve. Unë vazhdimisht e kam akuzuar por më bëri përshtypje kur e takova e më tha: Unë jam ai Eskobari i madh që ti vazhdimisht ke denoncuar, që ju më keni bërë Eskobar”, tha Hoxha, referuar rrëfimit të Klement Balilit.