Me datë 11 prill dhe në vijim, teatri “Migjeni”, me rregji të Altin Bashës dhe nën interpretimin e një ansambli prej 12 aktorësh dhe “Bandës së Shkodrës”, vë bë skenë “Gomari i Babatasit” e At Gjergj Fishta.
Nuk arrijmë ta quajmë as komedi, as tragjedi dhe as tragji- komedi. Emri më i përshtatshëm do të ishte realiteti shqiptar i këtyre 27 viteve. Një tekst gjithmonë aktual me fuqinë që i ka dhënë penda e Fishtës së madh, por i pasuruar me nota te forta sarkazme të aktualitetit.
Pasi e ke ndjekur per rreth 1 ore e 20 minuta, nuk je i sigurtë nëse duhet të qeshësh apo duhet të qash. Natyrisht, nuk mungon humori dhe batuta e emrave të mirënjohur të skenës, por është një humor që të bën te reflektosh dhe në fund të arrish në një përfundim që thuajse të gjithë kemi arritur keto vite në raport me politikën, pavarësisht krahut.
Prania e “Bandës së Shkodrës” nën drejtimin e Kujtim Alisë është një aksesor shumë i fortë për të prcjellë mesazhin. Po ashtu, skenografia është shumë shprehëse, pavarësisht se në pamje të parë të duket e thjeshtë. Një tjetër element i përdorur me shumë efikasitet është ndriçimi.
Natyrisht spikat loja e mrekullueshme e aktorëve Zyli Miloti, Besë Çinari, Rita Gjeka, Jozef Shiroka, Pjerin Vlashi, Mrita Smaja, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Raimonda Marko, Astrit Fani, Fritz Selmani, Eder Boshnjaku, Nancy Bakalli dhe Divni Gushta.
Për natën e parë me 11 prill 2018, vështirë të gjeni bileta. Por mos u mërzisni sepse do të ketë në ditët në vijim, sepse parashikohet që të tërheqë padiskutim interesin e artëdashësve shkodranë. Një gjë është e sigurtë: “Gomari i Babatasit” është një vepër që hap sytë për të njohur më mirë, përmes artit ata që kanë në dorë fatet e jetëve tona.