Gjithmonë një fëmijë i rritun dhe një i rritun fëmijë. Kur isha fëmijë i madh, por akoma e vogël aq sa për të mendu se do jetoja përgjithmonë dhe e lumtur, kisha dy palë andrra. Nji palë çfarë do të dojsha me u ba kur të rritesha dhe nji palë çfarë më mundësohej apo më thonin se do të bahesha. Për mua, gjithmonë mbaj mend se doja shumë të bahesha gazetare, e ndersa shihja realitetin e familjes sime, ndaj të ciles ushtrohej persekutim, kuptoja se mundësitë ishin të bahesha veçse rrobaqepëse.
Të gjithë, shoqe komshie e të afërm me thonin se i ngjaja tezes sime, sepse i qepja me finesë e delikatesë “paja” të panumërta kukullave të mia. Ajo, tezja e madhe, nga nevoja me mbijetu e pasioni përzi me të, siç duket u detyry e njëkohësisht zgjodhi me qenë rrobaqepëse me zanat, por dhe me zâ në fisin e mamës. Kukullat i veshja me fustane, copa të vogla gjithfarëngjyrëshe që i’ a kërkoja tezes mos t’ i hidhte, por t’ mi ruante mua.
E bindur se po baja fustanet ma të bukura, i “stiloja” ato sipas modeleve të fustaneve të disa prej kangëtareve më të famshme të kansonissimave të San Remos, e sidomos mbaj mend adhuroja (ose çmendesha) për veshjet e Rafaela Carra-së. Mesa duket, me sytë e fantazisë e të dëshirës ma shumë se me ato të ballit, fustanet e kukullave të mia më ngjanin po aq rrezellitëse sa ato të skenave në televizor.
I rreshtoja kukullat e mia edhe unë në “skenë”, që ishte minderi i guzhinës, nji dyshek i mbushun me pambuk, bahej më shpejt gunga- gunga prej përdorimit të gjatë, aq sa ma së shumti m’ i rrëzonte kengëtaret e mia me kambë përpjetë, apo ma e zakonshmja, mi shtrembronte ma tepër se m ‘i mbante ata drejt në kambë , dinjitoze e kryepërpjetë siç unë dëshirojshe. Gjithsesi mbaj mend se e doja shumë atë “skenë spektakli”, veçanërisht me pëlqente pasi dysheku jonë ishte i mbështjellë me nji basem pambuku boje qielli me lule pranverore, e rrethueme gjithandej me vulana, që ishin ba shumë të modës atëherë.
Por siç duket pala tjetër e andrrave fëminore të mia, zgjohej nga e fjetuna dhe m’ bante që, pasi t’ i vishja, t’ i stolisja, t’ i rreshtoja si për spektakël, i merrja ata me radhë në intervistë, duke u ba vetë gazetarja.
Sot e rritun gjykoj se, a thua vallë gjithë ai kujdes e dëshirë me i veshë bukur e moderne kukullat kishte lidhje, jo aq me pasionin e rrobaqepëses (të cilin e harrova shumë shpejt sa hodha shtat dhe mësova të vishem vetë bukur) dhe sot nuk qepi asnji vrimë të hapun n’ çorape, sesa me dëshirën e hershme me qenë protagoniste, me i rreshtu njerëzit, me i marrë në pyetje e me i gjyku sipas parimeve të mia personale? /Publikuar në Facebook nga Denata RROJI/