Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka kërkuar thirrjen e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm për zbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 dhe nr. 55, datë 10.07.2024 të Gjykatës Kushtetuese dhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Disa ditë më parë, bazuar në një kërkesë të deputetëve të opozitës, Gjykata Kushtetuese u shpreh se Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, në kundërshtim me detyrimin kushtetues që buron nga neni 132 i Kushtetutës, dhe se ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës.
Gjykata Kushtetuese ndër te tjera u shpreh se “në kontekst të rrethanave të rastit dhe në raport me përcaktimet e nenit 66/a, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 në lidhje me afatin maksimal të paraqitjes asaj të kërkesës nga Kuvendi, konsideron të theksojë se shqyrtimi i çështjes nga Kuvendi duhet të bëhet me përparësi, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj.”…… “Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.
Ky detyrim i vendosur shprehimisht në vendimin e Gjykatës Kushtetuese duket se ka nxitur jo më pak se 28 deputetë të PD dhe opozitës që të kërkojnë mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm dhe zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Për shkak të krizës kushtetuese të krijuar nga ana e Kuvendit, cenimit të themeleve të shtetit demokratik që ka vënë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe zvarritjes së tejzgjatur prej më shumë se 2 viteve të kësaj çështjeje, që ka shkaktuar vonesa që e çojnë shqyrtimin në limitet kohore të mundësisë për vlerësim nga Gjykata Kushtetuese, në deklaratën publike të datës 10 Korrik 2024 të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, por edhe në paragrafin 65 të vendimit nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm dhe me përparësi i kësaj çështje nga Kuvend.” – thuhet në kërkesën zyrtare të nënshkruar nga kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi dhe 28 deputetë të opozitës.
Në kërkesë theksohet se mbledhja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga një prej subjekteve kushtetuese që përmenden shprehimisht në nenin 74, pika 2 e Kushtetutës, është e detyrueshme për Kryetaren e Kuvendit, që ka vetëm një përgjegjësi që datën e sesionit ta caktojë brenda periudhës “3 ditë nga paraqitja e kërkesës”.
Deputetët e opozitës theksojnë se është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne dënojmë me forcë standartin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”.
Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor.” – thuhet në letrën e deputetëve të opozitës drejtuar Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.
Kërkesa është depozituar sot për shkak se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 55/2024 ka hyr në fuqi sot me botimin e tij në Fletoren Zyrtare nr. 139, datë 07.08.2024. /Njoftim për mediat nga GP i PD/