U shoqërua si i dyshuar për vjedhje, dhunohet në komisariat i riu nga Korça. Një 34-vjeçar nga Kamenicë ka denoncuar se është dhunuar nga Policia gjatë marrjes në pyetje.
Mariglen Muka u shoqërua dje si i dyshuar për disa vjedhje, ndërsa në fund përfundoi në spital pasi, sipas tij, ndaj tij është ushtruar dhunë fizike.
Sakaq sot, behet me dije se dy oficerë policie janë proceduar penalisht lidhur me dhunën e ushtruar ndaj 34 vjeçarit.
Ky i fundit, vetëm pak muaj më parë ka përfunduar vuajtjen e dënimit në burgun e Drenovës, pretendon se shkak është bërë refuzimi i tij për të pranuar se është autori disa vjedhjeve që kanë ndodhur ditët e fundit në fshatin ku ai jeton.
Pas denoncimit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit ka nisur hetimet për policin që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj 34- vjeçarit, si dhe për inspektorin e zonës.
I dëmtuari Muka, në një intervistë rrëfeu dhunën në komisariat.
Si ndodhi ngjarja?
U paraqita në Komisariatin e Korçës, rreth orës 09:00 të mëngjesit, sepse më telefonoi inspektori i zonës. Mendova se më kërkonin për dokumentet e makinës. Më shoqëruan në një prej zyrave të Komisariatit, ku më morën në pyetje për disa vjedhje në fshat dhe kërcënimin nëpërmjet telefonit. “Ke sharë, ke kërcënuar”, më tha. I thashë më nxirr personin, se as kam sharë dhe as kam kërcënuar. Aty pastaj nuk më la njeri të familjes pa sharë dhe më goditi.
A kishit dijeni për këto ngjarje?
Absolutisht jo. Besoj se ata ishin nisur nga fakti se unë kam qenë i dënuar më parë, por nuk është e thënë që për çdo vjedhje të drejtohet gishti nga unë. Kur mohova akuzat, polici që më mori në pyetje, me fyeu dhe më pas më goditi me grushte dhe shqelma në kokë dhe pjesën e barkut.
Çfarë ndodhi më pas?
Nga goditjet, humba ndjenjat. Pasi u përmenda, me çuan në një tjetër zyrë. Kërkova doktor, por nuk më sollën njeri, erdhi një shok i shefit që më bëri një gjilpërë, që unë as nuk ia kisha idenë. Më lanë të lirë rreth orës 15:00 dhe familjarët më sollën në spital. Po bëj analizat dhe kontrollet mjekësore.
A do ta denonconi policin që ju ka dhunuar?
Po, patjetër. Do të bëj denoncim për policin. Kur u dhunova, prezent ishte edhe inspektori i zonës, por ai nuk më ka goditur.
Nëna e të riut: Djali më ka kaluar në depresion
Nëna e 34-vjeçarit, mes shqetësimit, ka treguar se djali i saj është goditur në kokë dhe trup gjatë qëndrimit prej 6 orë në Komisariatin e Policisë në Korçë. Ajo tregon se vetëm një muaj më parë ka humbur dhe bashkëshortin, ndërkohë që bën apel për zbardhjen e së vërtetës të dhunimit të djalit dhe nga ana tjetër thotë se kjo sjellje e Policisë po e çon të birin në depresion.
“Djalin ma kanë rrahur dhe m’i kanë lënë shenja. E pashë që në kokë e kanë goditur. Unë, para një muaji, mbeta e ve, djali dy muaj ka që doli nga burgu. Nuk ka dalë nga shtëpia, më ka kaluar edhe në depresion. Çfarë është kjo, që të rrahin njerëzit policët. Dua drejtësi”, shprehet nëna e 34-vjeçarit të dhunuar. /panorama.com.al/