Boksieri shqiptar Alban Beqiri bëri një paraqitje të shkëlqyer në Kampionatin Botëror të Boksit amator që zhvillohet në Beograd, pasi mundi të sigurojë një medalje bronzi në peshën deri në 71 kg, me fitore bindëse dhe me vlerë deri në fazën gjysmëfinale, ku u ndal nga rusi Musaev.
Ky sukses bëri jehonë të madhe, por pak vetë e dinë që për të mbërritur deri këtu kërkohet një përgatitje e fortë dhe sportistët shqiptarë nuk kanë kushte për të pasur shumë sukses në garat e mëdha ndërkombëtare. Madje, sportisti dhe trajnerët shkuan në Beograd me makinën e tyre, me shumë probleme, pa mjekë e fizioterapist, e sërish ia dolën t’i sjellin medalje Shqipërisë, madje një medalje historike, pasi është hera e parë për ekipin tonë kombëtar të boksit që merr medalje në një Botëror.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “SOT”, trajneri ikonë i Kombëtares së Boksit, Zef Gjoni, duke folur në emër të delegacionit kuqezi që ndodhet në Beograd, vë në dukje se institucionet, si ato qendrore dhe ato vendore, e kanë harruar sportin. Madje Gjoni rrëfen edhe kërcënimet që mori ekipi pas ngjarjeve me skuadrën e Kosovës, që nuk u lejua nga serbët të merrte pjesë.
Si do ta përkufizonit këtë arritje të boksit shqiptar në një eveniment kaq madhor sikurse është Kampionati Botëror i Boksit amator?
Boksi organizohet në dy kategori, amator e profesionist, por në thelb rëndësia e tyre është e njëjtë e tani vetëm emrin kanë të ndryshëm, sepse në ring të gjithë janë profesionistë. Tani që e mbyllëm garën me sukses, mund të them se ndihem i kënaqur, qoftë dhe për faktin se i sjellim Shqipërisë një medalje nga Botërori, gjë që i kishte munguar në këto nivele.
Mos harrojmë se kemi marrë medalje me 18-vjeçarët. Tani sytë duhet t’i hedhim nga e ardhmja e të mos mjaftohemi me kaq. Paraqitje madhështore këtu në Beograd bëri Alban Beqiri, por ambiciet tona janë që ne të vijojmë me performanca cilësore me të gjithë sportistët në garat e ardhshme. Synimi ynë është që Alban Beqirin ta fusim në kategorinë profesioniste, njëjtë sikurse Kristian Dema do të luajë për të mbrojtur gjerdanin në peshën e tij, një titull që e ka fituar kohë më parë në Gjermani.
Shpresojmë që më 4 dhjetor të jemi në Tetovë, aty ku do të organizohet një takim profesionistësh. Duke parë këtë numër të madh sportistësh cilësorë, kemi vendosur të shpallim federatën e boksit profesionist në Tiranë.
Që të ndodhë kjo duhen krijuar hapësirat, lehtësirat por edhe të ketë promotorë, ndryshe është e vështirë…
I kemi marrë parasysh të gjitha këto dhe po vëmë kontakte me njerëzit që mund të na ndihmojnë. Kam mësuar se Florian Marku ka kërkuar të bëjë një ndeshje profesioniste boksi në Tiranë dhe këtë ia ka kërkuar kryebashkiakut Veliaj. Ne do t’i bëjmë ftesë që të luajë këtu një duel të madh miqësor, në mënyrë që të promovohet edhe boksi shqiptar.
Pse e them këtë dhe lidh me Florian Markun? Sepse Alban Beqiri është në një peshë trupore me të dhe unë ju siguroj që Albani është rritur shumë e nuk është rastësor mbërritja e tij deri në gjysmëfinalen e Botërorit. Nëse Marku na mirëkupton dhe është dashamirës, atëherë ai në një të ardhme mund të jetë promotor i boksit. Dua që ai ta marrë vesh që Zef Gjoni e fton ta mendojë këtë gjë, jam gati të flas me të në telefon e t’i diskutojmë këto ide e ai të ndikojë pozitivisht. Problemi i boksit shqiptar janë kushtet jo të mira që kemi.
Cili është mendimi juaj për performancën e ekipit tonë të boksit, në tërësi, në Botërorin e Beogradit?
Ne ishim të kompletuar në këtë aktivitet, në aspektin e asaj që arritëm, dhe parë në këtë kuadër ishte një paraqitje ndryshe nga e shkuara. Në fakt, ne ishim nisur me disa sportistë, por në momentet e fundit boksierët Kristian Dema e Arjon Kajoshi rezultuan pozitiv me Covid-19. Për pasojë, udhëtuam në Botëror me Beqirin, Hysën dhe Laçin.
Këtu dua të bëj një dallim që është evident dhe na penalizon ne në garat ndërkombëtare. Rivalët tanë bëjnë grumbullime afatgjata dhe përgatitje gjithëvjetore, kurse ne nuk kemi kushte për këtë. Publiku duhet ta dijë se ne erdhëm deri këtu me makinat tona. Ishim me fat që nuk pësuan defekt, se do të kishim mbetur rrugëve. Ishte dëshirë e madhe e jona që të merrnim pjesë këtu. Që të vish në Botëror duhet të jesh i përgatitur, të bësh grumbullime afatgjata, por ne nuk i kemi kushtet, sepse aq janë fondet për boksin.
Bëmë 700 km rrugë dhe me datë 22 mbërritëm në Beograd. Ne patëm menjëherë probleme, pasi Kosovës iu ndalua pjesëmarrja e ne dëshironim në shenjë proteste të largoheshim, por hasëm në kërcënimin e federatës botërore, që na bëri të qartë se në rast largimi mund të penalizoheshim rëndë. Pas katër ditësh erdhi ambasadori e na takoi.
Gara e parë për Alban Beqirin ishte me datë 27 dhe ky short ne na ndihmoi, pasi me 5 ditë kohë në dispozicion dhe me kushte të mira patëm mundësinë të përgatiteshim. Dy ndeshjet e para i kaluam pa probleme, por në ndeshjen e tretë sportisti pësoi dëmtime jo të pakta, me një problem jo të vogël në krah.
Si ndodhi që e futët në garë?
Me peripeci të shumta, pasi na u desh të kontaktonim një fizioterapist e ta paguanim nga xhepi ynë. Na ndihmoi fizioterapisti i Ekuadorit, madje me shumë siklet, sepse nuk i lejohej. Gjithsesi, sportisti u kthye në garë dhe arriti të fitojë edhe një betejë tjetër, për të mbërritur deri në gjysmëfinale. Ky ishte rezultati më i mirë për boksin shqiptar në një aktivitet të tillë.
Si e shihni të ardhmen?
Unë shoh se jemi në rrugë të mbarë dhe Botërori i Beogradit ishte i suksesshëm për ne dhe na ka bindur që investimi në boks nuk shkon dëm dhe që ky rast duhet të shërbejë dhe për institucionet të jenë të më të vëmendshme ndaj sportit në përgjithësi e boksit në veçanti. Përveç sportistëve cilësorë të moshës së re që disponojmë, kemi dhe një plejadë trajnerësh cilësorë që duhen përshëndetur.
Këtu dua të përmend S.Bushatin, R.Kurtin, etj, të cilët punojnë në kushte shumë të vështira, por me pasion janë duke prodhuar talente dhe duke e rritur nivelin e boksit, për ta çuar atë një shkallë më lart. Trajnerët kanë bërë punë të madhe dhe sportistët ndihen të motivuar falë tyre. Rasti i trajnerit të ri Renato Kurti me sportistin Alban Beqiri dëshmon shumë në këtë drejtim. Unë si kryetrajner i ekipit kombëtar ndihem mjaft optimist.
Çfarë planesh keni për të ardhmen e afërt, pra, cilat janë garat e radhës ku keni objektiva të rëndësishëm?
Fillimisht do të rrisim objektivin për “Gongun e Artë” që do të zhvillohet pas pak ditsh në Shkup. Ky aktivitet që është planifikuar më 10 nëntor nuk është i panjohur për ne dhe në rajon boksi ynë i ka dhënë provat se është konkurrues e fitues. Ndërsa më 20 nëntor kemi kupën “Adem Jashari”. Edhe ky është një aktivitet që do ta vlerësojmë e me objektiva, pasi edhe vetë emri i aktivitetit është domethënës. Synimet tona madhore janë të vazhdojmë me këto ritme, pa u ndalur.
Kurse vitin e ardhshëm kemi ëndrra shumë, por nuk e dimë nëse “ëndrrat” tona do të mbështeten nga institucionet, pasi koha ka vërtetuar se institucionet tona të sportit kanë harruar se ku bie sporti. Ishalla shteti vetë vë dorën tek boksi, pasi kemi shumë talente në këtë sport por marrim shumë pak mbështetje, jashtëzakonisht pak. Nuk desha ta them, por e kam të pamundur të mos e them: boksi është sporti më i persekutuar këtu. Edhe bashkitë e kanë abandonuar boksin.
Bashkia e Shkodrës, por edhe bashkitë e tjera as e dinë që ka boks e sport që duhet mbështetur. Kryetarët e bashkive janë shumë larg nevojave që ka sporti ynë. Ky është fakt i pamohueshëm. Ç’duhet bërë? Të gjithë e dinë, duhet rritur fondi për federatat, duhet rritur fondi për boksin e të krijohen mundësitë që të kemi grumbullime afatgjata, të mos shkohet në aktivitet me stërvitje disaditore, por me muaj të përgatitur, vetëm atëherë mund të konkurrojmë me Europën e me botën. Gjithsesi, arritja e fundit në Botërorin e Beogradit është një ngjarje e madhe për boksin shqiptar.