Glaukoma është një nga sëmundjet më të shpeshta, që mund të shkaktojë ulje të pamjes deri edhe në verbëri. Por këto pasoja mund të parandalohen në qoftë se diagnostikohen në kohë. Për këtë aplikohen check-up okulistikë, konferenca informative dhe shpërndarje e fletëpalosjeve me informacion për glaukomën. Në botë janë 55 milionë njerëz të prekur nga glaukoma.
Kjo sëmundje renditet si shkaku i dytë në botë i verbërisë. Ky numër i lartë është i lidhur me faktin se kjo sëmundje në 50% të rasteve diagnostikohet vonë, kur ka dhënë dëmtime permanente në sy. Glaukoma është një sëmundje degjenerative dhe progresive, e cila dëmton nervin optik. Ajo mund të jetë e lindur ose e fituar dhe shpesh shoqërohet me rritje të presionit intraocular. Ka dhe glaukoma, në të cilat presioni okular është normal. Format kongjenitale janë kryesisht agresive dhe duan ndërhyrje dhe ndjekje shumë të specializuara.
SIMPTOMAT
“Hajduti i heshtur i pamjes” është quajtur që në antikitet, pikërisht sepse në fillim nuk ka simptoma ose janë ndryshime minimale të pamjes periferike, të cilat, duke u instaluar gradualisht nuk kuptohen nga pacienti i prekur. Mund të ndodhë që preket njeri sy, por pamja kompensohet nga syri tjetër dhe nuk kuptohet derisa mund të ndodhë një atak i quajtur krizë glaukomatoze, e cila manifestohet me ulje të menjëhershme të pamjes, dhimbje e fortë dhe skuqje e syrit, dhimbje koke, të vjella, fotofobi.
FAKTORËT E RREZIKUT
Mosha e avancuar: frekuenca e sëmundjes në popullatë rritet ndjeshëm mbas moshës 40 vjeç. Pikërisht për këtë arsye, edhe kontrollet rekomandohen rreth kësaj moshe. Mbi 60 vjeç, rreziku për glaukomë dyfishohet. Sa më shumë plakemi, aq me i lartë është rreziku për t’u prekur nga glaukoma. Historia Familjare: pacientë, të cilët kanë një prind të prekur nga glaukoma, kanë rrezik 4-10 herë më të madh për ta shfaqur glaukomën.
Faktorët sistemikë: pacientët e prekur nga sëmundjet kronike, si diabeti dhe hipertensioni, janë më të rrezikuar për të shfaqur glaukomë.
Stili i jetesës: jeta sedentare, mungesa e aktivitetit fizik, duhani, dieta e varfër me vitamina dhe minerale janë të gjithë faktorë rreziku, jo vetëm të glaukomës. Diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundjeje bën që pacienti mos të invalidizohet. Kapja në kohë e sëmundjes arrin që të normalizojë shumë shpejt tensionin e syrit vetëm me medikamente, pa pasur nevojë për kirurgji. Mund të jetohet shumë mirë me glaukomën, pa u verbuar kurrë, në qoftë se diagnostikohet herët dhe trajtohet me rigorozitet terapia medikamentose. Ka pacientë me glaukomë që shohin 100%, ashtu sikundër ka dhe pacientë me glaukomë të verbuar. Për sa i përket terapisë, të gjitha metodat e përdorura konsistojnë në ulje të presionit intraocular. Kur patologjia është e avancuar dhe presioni intraocular nuk dominohet me terapi medikamentose, aplikojmë laser , ose kirurgji të mirëfilltë të glaukomës, trabekulotomia.
PARANDALIMI
Si specialiste në okulistikë, lidhur me mënyrat e parandalimit do të rekomandoja që të gjithë pacientet që kanë histori familjare të bëjnë kontrolle të shpeshta. Pacientë, të cilët fillojnë të kenë probleme me shikimin për afër , ta shfrytëzojnë vizitën në mënyrë që të jetë sa më e detajuar. Të vizitohen te mjekët specialistë, në mënyrë që, përveç përcaktimit të numrit të syzeve, të ekzaminohet edhe fundi i syrit që tregon gjendjen e nervit, të matet tensioni. Të jetë një vizitë e plotë nga profesionistë. Dieta hipokalorike dhe sport. /Nga Dr. ALDA ZANI, OFTALMOKIRURGE/