Nga Andi BUSHATI
Skena, sa teatrale aq edhe groteske, që Lulzim Basha prodhoi këtë të enjte në Kuvend, u nxitua të justifikohet, si nga përkrahësit po ashtu edhe nga kritikët e tij, si një lëvizje për të fashitur jehonën e grupit kundërshtar në PD. Praktika është e njohur. Eshtë e njëjta me atë që përdori Edi Rama pasi humbi zgjedhjet e vitit 2009 dhe pasi lëvizja e njohur si LMN i kërkoi të lërgohej.
Kryefjala e kësaj strategjie është radikalizimi, pra nxitja e tensioneve pozitë- opozitë, për të shuar çdo debat tjetër për demokracinë brenda partisë, për të heshtur çdo zë kritik, për të sfumuar çdo divergjencë në selinë blu e cila mezi po merr veten pas një humbjeje dhe përplasjeje traumatike.
Më këtë synim u mundua edhe Lulzim Basha të ngrejë një furtunë në gotë në sallën e parlamentit. Ai bllokoi më kot foltoren, i rreshtoi trupat e tij për betejë, ndezi situatën, bërtiti për të drejtat e opozitës, dhe njësoj si gjatë kohës së çadrës ushqeu me pica, mbështetësit e tij brenda kuvendit.
Por përtej këtij shou, po të interesoheshe e çfarë ndodhi në të vërtetë, e gjitha bëhej qesharake. Të tëra palët (PS, PD, LSI) patën rënë dakord që të ngrinin komisionin e reformës zgjedhore. Zakanoisht, kur për çështjet ka dakordësi, kalohet drejt e në votim dhe pa debat. Kështu u paqtuan të gjithë edhe në konferencën e kryetarëve të Kuvendit. Madje këtë version e pranon edhe LSI, e cila është e prirur t’i hedhë benzinë çdo tymnaje kundër Ramës.
Mirëpo, kur demokratët zbarkuan në sallë, ata pretenduan se do të mbanin plot 30 diskutime. Edhe këtë akush nuk ua mohoi. “I bëjmë po të doni ishte kundër oferta, por për këtë na duhet kohë edhe ne të përgatitemi”.
Këtu Basha u ngrit në tribunë, e bllokoi foltoren, barrikadoi njerëzit e tij dhe bllokoi punimet e Kuvendit. “Jo nuk u japim as kohë, duhet të debatojmë tani”, ishte ultimatumi i tij.
Ai nuk kishte as kazus, as kauzë dhe as karizëm në këtë shpërthim të beftë.
Ai thjesht vendosi të prodhojë një sherr pa thelb, i cili fillimisht i ofroi “heroizimin” e përjashtimit nga parlamenti dhe pastaj mëshirën cinike të Ruçit, për t’a falur si një çun të mirë që po gabonte për herë të parë.
Vetëm në pak orë, butaforia që ngriti u shfry në mënyrë të turpshme.
Dhe në fakt ky është problemi real i Bashës. Pafatësia e tij që të tjerët t’a marrin seriozisht.
Parandaj dhe të gjithë ata që e shohin manovrën e së enjtes si një lëvizje radikalizuese për të nxjerrë jashtë loje grupin e kundërshtarëve brenda partisë e kanë gabim. Sepse përpara Patozit, Bregut, Bodes, Topallit, Imamit, Rulit, Lulzim Basha ka një hall shumë më të madh. Ai ka problemin e besueshmërisë me publikun. Që pas talljes skandaloze me kauzën e çadrës, që pas shitjes së saj për një pazar me Edi Ramën, kreut të PD do t’i duhet shumë kohë për të riskalitur imazhin e radikalit. Që prej 18 majit, për fatin e tij të keq, ai nuk ngjall më, as frikë dhe as besim. Askush nuk i druhet më një përplasjeje të fortë, mes PD-së dhe PS-së, sepse të gjithë e dinë se Basha në fund do të tërhiqet me turp.
Prandaj lojës së radikalit, si një taktikë, për të shmangur vëmendjen nga kritikët e tij në PD, i ka dalë boja. Përmes saj, ai jo vetëm që nuk “asgjeson” kundërshtarët e brendëshëm, por për më tepër, vazhdon të rrënojë besimin e tij tek publiku.
Pikërisht, kjo ndodhi edhe këtë të enjte në parlament. Në vend që të shpërndante vëmendjen ai e përqëndroi atë tek vetja. Ai bëri ç’është e mundur të na kujtojë edhe njëherë, se njeriu që nuk i qëndroi dot një kauze të madhe, nuk mund të mbijetojë me mini- çadra të shpikura. Sepse ato t’i mbyll me një komandë Gramoz Ruçi.