Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për projektimin e rrugës së Dukagjinit. Në faqen zyrtare në internet në FSHZH, me datë 22 nëntor është publikuar edhe njoftimi zyrtar. Paraprakisht, fondi për rikonstruksionin e rrugës është 29 milion dollarë. Në njoftimin e FSHZH- së, i cili është në gjuhën angleze për të pritur edhe ofrrta ndërkombëtare, mes të tjerave thuhet:
“Qeveria e Shqipërisë ka marrë një financim nga Banka Botërore – Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për koston e Projektit të Lidhshmërisë së Rrugëve Rajonale dhe Lokale (RLRCP) dhe synon të aplikojë një pjesë të të ardhurave për shërbimet e konsulencës.
Objektivi kryesor i projektit: “Unaza e brendshme e Alpeve, Ndërtimi i rrugës Prekal – Qafa e Shoshajt – Lotaj dhe Lekbibaj – Qafa e Agrit – Nderlysaj” është përmirësimi i lidhjes rajonale dhe lehtësimi i aksesit në potencialet turistike të veriut. Zonat lindore të qytetit të Shkodrës dhe zonave të rrethit të Tropojës, duke sjellë zgjerimin e ofertës turistike të rajonit dhe rritjen e mundësisë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik rajonal.
Projekti i ndërtimit të këtyre segmenteve do të synojë përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së trafikut rrugor duke ruajtur gjurmën ekzistuese rrugore në disa zona dhe duke ndërtuar rrugë të reja aty ku është e nevojshme.
Shërbimet e konsulencës (“Shërbimet”) përfshijnë projekte paraprake dhe të detajuara të rrugëve, si dhe faturat e sasive (BoQ) dhe specifikimet teknike të përgatitura për tender. Kohëzgjatja e projektit është parashikuar për 4 (katër) muaj. Periudha e pritshme për fillimin e shërbimit është janar 2022.”.
Ky është një lajm i mirë për banorët e Dukagjinit, në vijim të kërkesave të vazhdueshme të tyre por edhe të Bashkisë Shkodër, e cila ka aplikuar prej disa vitesh për financim. Financimi bëhet i mundur nga donatorët ndërkombëtarë siç janë Banka Botërore dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Më shumë informacion, gjeni duke klikuar linkun këtu SHPREHJE INTERESI PËR PROJEKTIMIN E RRUGËS SË DUKAGJINIT. /ShkodraWeb/