Shqipëria ka arritur që të fitoj gjyqin në arbitrazh kundër kompanisë së së Françesko Beketit në lidhje me ndërtimin e hidrocentralin e Kalivaçit.
Në Tetor 2014 Shqipëria u padit, në Arbitrazhin Ndërkombëtar të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë nga shoqëria Hydro S.R.L., ku u kërkua zgjidhja e marrëveshjes së koncesionit të lidhur midis palëve ndërgjyqëse për ndërtimin e një hidrocentrali në Kalivaç, për faj të Shqipërisë, dhe pagesa e një dëmshpërblimi në një vlerë prej €137,235,090.00 si edhe e të gjithë kostove të Paditësit dhe procesit të arbitrazhit.
Shqipëria më pas paraqiti kundërpadi në këtë proces ku pretendoi se, paditësi ka qenë në shkelje dhe mospërmbushje të kontratës së koncesionit, për fajin e tij, duke i shkaktuar në këtë mënyrë një dëm prej €158,000,000.00. Krahas pagesës së këtij dëmi, Shqipëria kërkoi edhe pagesën e kamat-vonesave për mospërmbushjen e kontratës deri në vlerën prej €12,900,000.00 si edhe të kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit.
Trupa e gjykimit vendosi që të rrëzojë të gjithë pretendimet e Paditësit, duke e ngarkuar këtë të fundit me faj për mospërmbushjen e Kontratës dhe me pagesën e kamat-vonesave deri në vlerën e cituar më lart dhe të të gjithë kostove ligjore dhe të procesit të arbitrazhit të pësuara nga i Padituri, në një vlerë prej rreth €1,258,642.00 (një million e dyqind e pesëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e dyzetë e dy Euro).
Në një vendim të dytë, Trupa e gjykimit do të vendosë vlerën e dëmshpërblimit që Paditësi do të duhet t’i paguajë Shqipërisë për mospërmbushjen e kontratës së koncesionit për faj të tij, bashkë me të gjithë interesat dhe kostot e tjera të zbatueshme.