Kreu i Partisë Demokratike në detyrë, Lulzim Basha reagon pas deklaratave të Bujar Nishanit në News 24, se ai e dinte më herët se Sali Berisha ishte shpallur non grata në Shtetet e Bashkuara.
Në një reagim në Facebook, Basha thotë se hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët, siç e cilëson, duke shtuar se “inati e mllefi personal e ka një limit” dhe se ky sipas Bashës është kaluar.
Basha në Facebook:
“E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim me të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit.
Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj”.
Çfarë tha Nishani
Ish-presidenti Bujar Nishani deklaroi sot në ‘News24’ se kreu i PD-së, Lulzim Basha ka qenë në dijeni të vendimit të DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas Nishanit, kjo ka qenë edhe arsyeja e afrimit të datës së zgjedhjeve për kreun e PD-së.
“Unë jam shprehur qartë kur më është kërkuar mendim. Kjo është një çështje që zoti Berisha e ka adresuar diskursin drejt zgjidhjes gjyqësore. E ka bërë zgjedhjen e tij. Me rëndësi në këtë çështje janë dy gjëra. Në këtë histori personale me Berishën unë mund të dëshmoj në çdo kohë, se unë kam ndeshur njeriun e ndershëm institucional dhe skam ndeshur kurrë një minimum të korrupsionit.
Kjo çështje është një çështje që s’do t’i cenojë kurrë marrëdhëniet SHBA-Shqipërinë. S’kam droje fare. Skam asnjë ndonjë informacion apo indicie. Unë kam kuptuar se zoti Basha ka qenë në dijeni të informacionit, pasi jo pa qëllim afroi jo në mënyrë të pritur datën e zgjedhjeve brenda partisë. Kjo çështje ka krijuar një shok brenda PD. Se mohojmë dot. Pasi Berisha është themelues i PD dhe për të ka ndjeshmëri”.