Partia Socialiste vazhdon të këmbëngulë në kandidimin e prefektëve të saj për postin e kryebashkiakut të Shkodrës. Sot është zyrtarizuar Majlinda Angoni, prefekte aktuale e Shkodrës si kandidate e PS- së për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 të shpallura nga Presidenti Ilir Meta.
Socialistët kanë provuar edhe më herët që të marrin bastionin e demokratëve me prefektët, posti më i lartë shtetëror i PS- së në qarkun më të madh në Veri të vendit, Shkodrën.
Në zgjedhjet e vitit 2019, Valdrin Pjetri u emërua prefekt për rreth 1 muaj që të njihej e amplifikohej mediatikisht, pikërisht në funksion të zgjedhjeve të 30 qershorit të atij viti. Pjetri ishte i vetëm në garë, pasi opozita e kohës nuk mori pjesë. Ai arriti të marrë 16.540 vota, duke u shpallur fitues nga Gjykata e Shkodrës.
Ndërsa pritej që ai të futej në Bashkinë e Shkodrës duke thyer një mit të demokratëve, për shkak të ligjit të dekriminalizimit, Pjetri u detyrua të japë dorëheqjen pa bërë betimin. Pas përballjes me gjykatat, ai nuk pati asnjë problem juridik, por nuk mundi të ulej në karrigen e kryebashkiakut të Shkodrës.
Pasi kishte provuar të kandidonte pa sukses në vitin 2000 me një nivel të lartë shtetëror e politik, siç ishte e ndjera Esmeralda Uruçi asokohe MInistre e Kulturës, tre vjet më pas, PS vendosi të rikandijë sërish me një prefekt.
“As majtas, as djathtas por në Shkodër”, ishte motoja e Gjergj Leqejzës në vitin 2003 përballë Artan Haxhit të PD- së. Optimizmi ishte i madh për PS- në, aq më shumë që Leqejza edhe si prefekt, nuk mund të konsiderohej i majtë pasi vinte nga bota e biznesit dhe me të afërm të përfshirë në lëvizjet demokratike në fillim të viteve ’90.
Megjithatë, edhe ish- prefekti Leqejza humbi garën përballë pedagogut Artan Haxhi. Ky arriti të marrë 12,543 vota ose 53.61 %, ndërsa Leqejza mori 8,533 ose 36.47 % të totalit të votave.
PS në Shkodër, provoi të kandidojë prefektët edhe si deputetë, siç ndodhi në vitin 2005. Prefekti Ramadan hasanaj konkurroi përballë pedagoges Arenca Trashani. Përfaqësuesja e PD- së mori 5,896 ose 55.68 % ndërsa Hasanaj mori 3,248 vota ose 30.67 % të totalit.
Me 6 mars 2022, PS provon përsëri të kandidojë një prefekt, përsëri për të marrë Bashkinë e Shkodrës, në tentativën e tretë. Ndryshe nga herët e tjera, kur të gjithë ishin meshkuj, sivjet i beson një zonje, Majlinda Angoni. A do të mund të thyejë tabunë 31 vjeçare PS- ja për Bashkinë e Shkodrës? /ShkodraWeb/