Artistja e madhe shqiptare Justina Aliaj ka mposhtur COVID-19 dhe i është drejtuar me një mesazh miqve dhe mbështetësve të saj. Ajo thotë se pikërisht nga ta ka marrë kurajën për të luftuar në ato ditë vendimtare, ku hera-herës i humbnin dhe shpresat.
Ajo shkruan se është COVID-19 free dhe uron që edhe Shqipëria dhe bota mbarë të shërohet sa më shpejt nga kjo sëmundje shfarosëse.
MESAZHI I PLOTË
Gjithë respektin për ju!!!
Miqtë e mi të shtrenjtë, nga zemra uroj të jeni mirë me shëndet! Më lejoni t’ju shpreh gjithë çfarë kam në zemër për ju… Më keni dhënë lumturi të përjetuar si kurrë!!! Dhe sa e madhe ishte ajo lumturia nga aty ku ndodhesha unë!!!
Ju më dhatë kurajë për me luftu në ato ditë vendimtare, ku hera-herës më humbnin edhe shpresat, ndërkohë që mjekët bënin të pamundurën për të më mbajtur në jetë. Ishin urimet, ai interesim i jashtëzakonshëm që treguat për mua, dhe dashuria e pasioni im i madh, më i madhi pasion i jetës sime me u shfaq para jush me atë ç’ka Zoti më kishte dhuruar, e që unë jua dhurova Juve gjithë jetën. Zoti i dëgjoi lutjet tuaja, edhe të miat, Ai i pranoi lutjet tuaja, sepse fortësisht, Ai e besoi këtë lidhjen tonë sublime. Unë sot jam Covid-19 free! Uroj që Shqipëria dhe bota mbarë, me u shëru sa më shpejt nga kjo sëmundje shfarosëse.
Të gëzojmë në këto fundvit festash me sa më pak dhimbje e lot!
GEZUAR ky Vit i Ri 2021! Ardhtë i bardhë për shumë e shumë motmote! Për çdo vjet e ma me zemër të mirë!
Së fundi miqtë e mi fort të shtrenjtë, a mos harrova të ju them se: edhe një 100 herë të lindja, e me gjithë peripecitë, unë Artin do të zgjidhja! Siç thotë Kipling- Dhe kjo na qenka më e bukura! Mirënjohje e thellë!
E juaja, Justina Aliaj.