“Ose unë, ose Mona, partia jo biznes familjar”. Ilir Meta duket i vendosur të luftojë nepotizmin në partinë që e krijoi si LSI dhe sot është Partia e Lirisë. Në mbledhjen e KDK- së së kësaj force politike, Ilir Meta u “përball” me Monika Kryemadhin, jo si bashkëshortë e bashkëpunëtorë të ngushtë prej mëse 30 vitesh por sikur të ishin divorcuar prej po kaq vitesh, edhe si bashkëshortë.
Nuk është aspak e vështirë të kuptohet se e gjitha, është pjesë e një skeme, skenari apo aktrimi të denjë edhe për Oscar. Nuk duhet shumë aftësi për ta kuptuar, teksa përtej rreshtave të “luftës kundër nepotizmit”, si Meta ashtu edhe Kryemadhi, dërguan mesazhe për SPAK- un e Dumanin. “S’ më rruhet fare për SPAK- un”, ishte shprehja e Kryemadhit ndërsa Meta iu drejrua Dumanit duke i thënë “Për SPAK tarallakun se mos i ka ngelur hatri njeriu kam këtë mesazh. Ilir Meta është këtu e do jetë gjithmonë këtu”.
Me gjasë, edhe shumë vetë në PL kanë informacion apo e kanë kuptuar tashmë se “loja” po luhet gjetkë. Sigurisht, askush nuk është i merakosur për PL- në apo opozitë. E rëndësishme të të shpëtohet “koka” duke bërë presion publik ndaj SPAK e përtej. Rrëfenja e historisë së Stalinit me Vasilin, sipas Metës djali martir i diktatorit sovjetik (në fakt, tregoi historinë e Jakovit, djalit të parë të Stalinit sepse Vasili, djali tjetër i tij pati vdekje natyrale nga pasojat e konsumimit të alkoolit), tregon shumë më shumë se mbledhja rreth 3 orë e KDK- së së PL- së.
U mendua se Jakovi, i zënë rob nga gjermanët në L2B, mund të shkëmbehej me gjeneralin e famshëm Fridrih Paulus, rob në duart e sovjetikëve. Stalin, refuzoi duke nisur nga grada e ulët e të birit përballë gjeneralit. Kështu, Jakovi, djali i Stalinit, vdiq në një kamp perqendrimi në Gjermani më 1943. Morali: Ilir Meta është gjenerali, ai nuk mund të këmbehet me askënd sepse askush nuk ka gradën e tij. Madje, ai është gati të sakrifikojë çdokënd, në PL dhe jashtë saj, në përballjen e pritshme me SPAK.
Edhe mesazhi “Herë I am” apo “Këtu jam” nuk është aspak për Metën, i cili nuk shfaqi aspak habi për shkrimin në fanelën e bashkëshortes. Mesazhi ishte për SPAK, duke përcjellë mesazhin publik se tashmë Kryemadhi do të marrë përgjegjësitë para një akuze të mundshme të pritshme, ndërsa Meta do të jetë Stalini i PL- së, që nuk ndalet para asgjëje, asnjë sakrifikimi të mundshëm të çdokujt. /Nga Sokol N. SOKOLI/