Të gjitha provat e deritanishme të grumbulluara, mbështesin idenë se vrasja e ish- policit Bernaca dhe bashkëjetueses së tij Ndoci, është vepër profesionistësh. Ditë pas dite, me sigurimin e provave të reja nga kjo ngjarje, grupi hetimor po arrin në këtë përfundim.
Prita ndaj çiftit, është përgatitur për një kohë relativisht të gjatë dhe atentatori ka qëlluar drejt makinës tip Benz për të asgjësuar çdo dëshmitar të mundshëm. Ai nuk ka kursyer as gruan, madje edhe fëmija ka shpëtuar sepse ka qënë në sediljen e e pasme, sipas gjasave në gjumë.
Këto janë disa detaje të reja që ShkodraWeb ka mundur të mësojë lidhur me ngjarjen. Megjithatë, puna hetimore dhe me metoda speciale vijon. Makina e vjedhur në Kosovë para disa muajve por edhe targat në Tiranë, janë indicie të forta se kemi të bëjmë me një ekzekutim nga profesionistë
Ajo që policia akoma nuk ka arritur të kristalizojë, janë motivet e këtij krimi që tronditi Shkodrën. Më shumë se e kaluara e Bernacës në forcat e policisë, po kalohen në sitë muajt e azlit të kërkuar e të refuzuar në Francë dhe kthimi në Shqipëri përmes Spanjës. Po kryhen verifikime edhe në sistemin TIMS për të gjetur ndonjë lidhje të mundshme në formën e “koencidencës” së elementëve kriminale në drejtim të Francës apo Spanjës, ndoshta edhe të “mesazherëve” të tyre.
Pavarësisht indicieve apo provave të deritanishme, burimet që flasin për ShkodraWeb e shohin të vështirë zbardhjen e ngjarjes, jo vetëm nga fakti i djegies së makinës- që po merret edhe si një mundësi e atentatorëve për të devijuar hetimet nga provat e verteta. Si në raste të mëparshme, nuk përjashtohet mundësia që atentatorët të kenë ardhur nga jashtë dht të jenë larguar nga vendi. Këtë herë, të favorizuar edhe nga sezoni turistik dhe hyrje- daljet e shumta edhe të të huajve.