Përmes një letre drejtuar Komisionit të Ligjeve dhe Kuvendit, Presidenti Ilir Meta reagon pas nismës së Partisë Socialiste për shkarkimin e tij, me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutë para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të 25 prillit.
Në letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Meta kërkon që të hetohen krimet zgjedhore në Kavajë dhe Elbasan. Sa i përket ngjarjes në Kavajë, më 20 prill, ku u plagos aktivisti i PD, Bledar Okshtuni, Meta thekson se “Autorët e identifikuar, janë në lidhje direkte me kryebashkiakun socialist të emëruar të qytetit të Kavajës dhe shtabin e tij elektoral. Presidenti, si dhe opozita e vërtetë, i kanë bërë publik autorët dhe lidhjet e tyre me partinë-shtet. Ja ku keni foton e publikuar. Ju mund ta hetoni, por pse jo mund ta diskutoni dhe komentoni bashkarisht në Komision me Presidentin e Republikës mbi këtë ngjarje”.
Më tej, Kreu i Shtetit ndalet te ngjarja në Elbasan, më 21 prill, ku u vra me armë zjarri Pjerin Xhuvani dhe u plagosën disa të tjerë. “Kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur nëse Policia e Shtetit dhe Prokuroria do të kishin kryer veprimet e tyre në kohë, si për të hetuar nxitësit e konfliktit që ishin kallëzuar ditë më parë nga Partia Demokratike, ashtu dhe për të neutralizuar personat e përfshirë në këtë konflikt”, shkruan Meta.
Më tej, Presidenti Meta vijon me tone të ashpra se “Nëse Kuvendi do prova, le të fillojë me shqyrtimin e këtyre dy fotove më poshtë, të cilat tregojnë qartë se mosveprimi në kohë i organeve ligjzbatuese, mbase pikërisht për shkak të mbështetjes së elementëve kriminalë nga dhe për Partinë Socialiste, Kryeministrin dhe Drejtuesin e Grupit Parlamentar të kësaj partie, (kandidat në Elbasan) solli si pasojë më pas dhe ngjarjen tragjike të Elbasanit”.