Teuta ka mësuar kundërshtarin për turin e parë të Ligës së Kampioneve. Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës, ka vendosur durrsakët përballë moldavëve të Sherif Tiraspol.
Ndeshjet e para që janë parashikuar të luhen më 6 ose 7 korrik dhe ato të kthimit më 13 ose 14 korrik. Skuadra e Martinit do e luajë si pritëse ndeshjen e parë, ndërsa e kthimit do luhet në Moldavi një javë më vonë.
SHORTI:
TEUTA-SHERIF TIRASPOL- 6 ose 7 korrik, ndeshja e kthimit në javë më vonë.
NDARJA E UEFA-s
Teuta kampione është e pozicionuar në grupin e skuadrave jofavorite për turin e parë, duke pasur një koeficient relativisht të ulët (2.750), nisur nga fakti se ka mbi dy dekada që nuk merr pjesë në Ligën e Kampioneve.
Nga 16 klube që janë në grupin e favoritëve, kishte ekipe të cilat mund të cilësohen të pranueshme për “djemtë e detit”, por dje UEFA i ka zhgënjyer jo pak durrsakët me ndarjen e grupeve. Teuta u vendos në Grupin 3 ku bënin pjesë, Ludogorets Razgrad (Bullgari), Sherif Tiraspol (Moldavi), Dinamo Tbilisi (Gjeorgji) dhe Kairat (Kazakistan). Mundësitë ishin që të “peshkohen” nga durrsakët në këtë tur edhe kampionët e Gjibraltarit (Linkoln Red Imps), Malit të Zi (Buduçnost), Estonisë (Flora Talin) dhe Lituanisë (Zalgiris), por nuk ndodhi kështu.
Nga ana tjetër, lajm i mirë për durrsakët mund të quhet fakti që kanë shmangur përballjet me klube që kanë eksperiencë të madhe në Kupat e Europës dhe pikërisht Dinamo Zagreb (Kroaci), Legia Varshavë (Poloni) apo Ferencvarosh (Hungari), aty ku aktivizohet mesfushori i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, si preferencë në grupin e 16 skuadrave kishte pa dyshim malazezët e Buduçnostit, por, pse jo, edhe Shkëndija e Tetovës, që drejtohet nga Ernest Gjoka.