Komani është hidrocentrali i dytë dhe më i fuqishëm i kaskadës së lumit Drin. Për nga fuqia e instaluar, pozicioni dhe vëllimi i rezervuarit, ky HEC luan rol kyç për prodhimin dhe shfrytëzimin e të gjithë kaskadës. Komani është hidrocentrali me kapacitetin më të madh të prodhimit të energjisë në vendin tonë.
Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 1980. Në 1985-ën filloi punën turbina e parë. Me kapacitet të plotë centrali u vu në punë në vitin 1988. HEC Koman u ndërtua mbi konceptet dhe projektin e hartuar nga inxhinierët shqiptarë të Institutit të Studim-Projektimeve të Hidrocentraleve në Tiranë. Turbinat dhe gjeneratorët janë të teknologjisë franceze të cilat u montuan bashkë me ekspertët shqiptarë të kësaj fushe. Për ndërtimin e veprës punuan rreth 12,000 punëtorë, inxhinierë dhe specialistë.
LEXONI EDHE: Fierza, hidrocentrali më i madh i Shqipërisë, 14 mijë persona punuan për ndërtimin gjatë 7 viteve, 54 humbën jetën
Hidrocentrali i Komanit është i tipit me digë dhe rezervuar. Diga është e tipit me mbushje me gurë dhe ekran betonarme. Diga është 133m e lartë dhe 290 m e gjatë. Diga e Komanit, është ndër 10 digat më të larta të këtij lloji në Europë. Diga ka një volum total prej 5 milion m3. Diga ka krijuar një rezervuar jo shumë të madh, prej 500 milion m3 ujë, ndërsa vëllimi i dobishëm i tij është 90 milion m3 ujë(kuota; 169- 176). Volumi i vogël i rezervuarit si dhe shkarkimet e shpejta të reshjeve nga Alpet dhe malësia e Pukës bën të nevojshme një monitorim dinamik të situatës hidrike dhe një operim proaktiv të HECit në përputhje me zhvillimet e kushteve hidrometeorologjike të pellgut ujëmbledhës specifik të Komanit.
LEXONI EDHE: Hidrocentrali Vau Dejës, i pari i madh i gjigandëve në kaskadën e Drinit që hapi rrugën për Fierzën e Komanin
HEC-Koman është parashikuar si vepër e klasit të parë përsa i përket rrezikshmërisë ekonomike, sociale dhe mjedisore. Diga e Komanit është projektuar për prurje maksimale llogaritëse në periudhën e reshjeve 1 herë në 1000 vjet (7,245 m3/sek) dhe për prurje maksimale kontrolluese në periudhën e reshjeve 1 herë në 10 000 vjet (10,560 m3/sek). Shkarkimi i prurjeve në Koman është parashikuar të realizohet nëpërmjet tuneleve të shkarkimit; Tuneli 3 me kapacitet mbi 1800 m3/sek dhe Tuneli 4 me kapacitet mbi 1600 m3/sek. Kapaciteti total i shkarkimit të ujit për nivelin 176 m është 3400 m3/sek. Për kalimin e ujit nga liqeni në central është ndërtuar Sistemi i Marrjes, i cili përcjell ujin nga Portali i Marrjes, nëpërmjet dy tuneleve të dërgimit te kullat e ekuilibrit nga ku degëzohen tubacionet për 4 turbinat e ndërtesës së Centralit. Sistemi ka kapacitet transportues deri në 720 m3/sek.