Përsëritje e një historie të hershme shqiptare. Kështu mund të përmblidhet ngjarja e rëndë e mëngjesit të sotëm në Durrës. Dy persona, sipas gjasave me origjinë nga Veriu i vendit por me banim në zonën e ish- Kënetës në Durrës, i kanë dhënë fund miqësisë së tyre në mënyrën më të keqe të mundshme. Sipas asaj që është arritur të rindërtohet në pak orë nga policia, Martin Ndreca dhe Ndue Zefi po qëndronin bashkë në një tavolinë në lokalin e lagjes së tyre.
Sipas informacioneve paraprake, gjithçka po shkonte mirë nën shoqërinë e njëri- tjetrit dhe të pijes mbi tavolinë. Në rrethana që mbeten për të sqaruar, të dy kanë nisur të zihen me njëri- tjetrin. Brenda lokalit, gjithçka ka mbetur në kuadrin e fjalëve, pa konfrontim fizik. Kur janë ngritur nga tavolina, autori Ndue Zefi 37-vjeç ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë kallashnikovin për të “larë hesapet”. Ai i ka zënë pritë fqinjit të tij Martin Ndreca 45 vjeç dhe e ka qëlluar pikërisht në vendin që shihni në foto. Mbi trupin e viktimës janë derdhur pesë plumba, zhurma e të cilave ka zgjuar gjithë lagjen. Kanë qënë banorët e zonës ata që kanë gjetur të pajetë 45-vjeçarin si dhe kanë lajmëruar më pas policinë. Pas hetimeve blutë e Durrësit kanë mundur të identifikojnë dhe shpallin në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes. Për momentin mbeten ende të paqarta motivet që e shtynë 37 vjeçarin të ekzekutonte me 5 plumba fqinjin e tij.